Ombudsmani i Maqedonisë së Veriut: Kushte çnjerëzore në burgun e Idrizovës.     /Foto: AA

Mbipopullimi i burgjeve në Maqedoninë e Veriut dhe kushtet materiale joadekuate në të cilat strehohen të burgosurit krijojnë rrezik të lartë të dhunës ndërmjet të burgosurve, tha ombudsmani i Maqedonisë së Veriut, Naser Ziberi, me rastin e 26 qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Mbështetjes së Viktimave të Torturës.

Në raport theksohet se ekipi i Mekanizmi Parandalues Kombëtar gjatë vitit 2022 realizoi 19 vizita të paparalajmëruara në stacione policore, spitale psikiatrike dhe qendra të strehimit të azilkërkuesve.

Avokati i Popullit, Naser Ziberi, në deklaratë për mediat tha se pjesa më e madhe e vërejtjeve dhe rekomandimeve përsëriten nga viti paraprak, duke theksuar se përpjekjet e autoriteteve janë më shumë deklarative.

Duke folur për vizitat në spitalet psikiatrike, Ziberi tha se janë vërejtur kushte të këqija për qëndrim dhe terapi, mungesë e aktiviteteve dhe numër i pamjaftueshëm i stafit.

Ziberi foli edhe për kushtet në institucionet ndëshkuese-korrektuese, me ç'rast tha se nuk respektohen rregullat evropiane të burgjeve që parashohin të paktën 4 m² hapësirë për një të burgosur.

Duke folur për burgun "Idrizovë", burgun më të madh në Maqedoninë e Veriut, Ziberi kushtet i përshkroi si "trajtim çnjerëzor dhe degradues".

"Në ditën e vizitës, në të ashtuquajturin krah i tretë, kishte të strehuar 72 persona të dënuar. Gjatë kontrollit u konstatua se në njërën nga dhomat me sipërfaqe prej 14,28 metër katror, ishin të vendosur madje 15 persona, që do të thotë më pak se një metër katror për një të vendosur", tha Ziberi.

Duke paraqitur edhe fotografi të bëra nga hapësirat, ai gjithashtu tha se të dënuarit ishin të detyruar të flinin në dyshekë të vendosur në dysheme, duke u ankuar edhe për kushtet higjienike dhe shëndetësore.

Duke folur për situatën me migrantët dhe azilkërkuesit, Ziberi u shpreh se në vitin 2022 janë regjistruar rreth 19.300 persona me status të parregulluar të qëndrimit në Maqedoninë e Veriut.

Ai u shpreh se një numër i madh i këtyre personave ndalohen nga autoritetet dhe dëbohen nga Maqedonia e Veriut, duke mos u regjistruar në evidencën e të arrestuarve dhe duke mos u njoftuar për të drejtat e tyre.

"Rekomandimi ynë është që të ndërpritet kjo përvojë, që çdo person, migrant ose azilkërkues, të mbahet në stacion policor, t'i jepen udhëzime juridike për të drejtat e tij dhe në fund t'i jepet vendimi se përse është ndaluar, çfarë shkelje ka bërë dhe sa do të zgjasë ndalimi i tij", tha Ziberi.

Ai gjithashtu u ankua për zvogëlimin e buxhetit të MPK-së nga autoritetet, duke theksuar se kjo vë në pikëpyetje cilësinë e punës së tij.

TRT Balkan / agjencitë