Organizatat joqeveritare: "Parafushatë intensive" para zgjedhjeve në Kosovë      Foto: AA

Koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV) në Kosovë pretendon se në Kosovë po bëhet "parafushatë intensive" para zgjedhjeve parlamentare, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Në një konferencë për media, DnV-ja vlerësoi periudhën e parafushatës, ndërhyrjet e ekzekutivit, shfrytëzimin e burimeve publike për qëllime elektorale dhe përgatitjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Eugen Cakolli nga DnV-ja u shpreh se në mungesë të rregullimit ligjor, partitë politike kanë filluar të zhvillojnë aktivitete të parafushatës në mënyrë të intensifikuar me ndihmen njëkohësisht edhe të platformave digjitale.

"Partia në pushtet me këtë rast Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka zhvilluar parafushatë kryesisht të orientuar në diasporë dhe është në fakt subjekti i vetëm politik që deri më tani nuk ka zhvilluar asnjë aktivitet brenda vendit", theksoi Cakolli.

Sipas tij, ka pasur një rritje të sponsorizimeve të postimeve në platformat digjitale nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me mijëra euro të shpenzuara deri më tani.

"Ajo çfarë vërehet është një trend i shtuar i angazhimit të partive në rrjetet sociale. Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë evidencë të sponsorizimeve në rrjetet sociale, ndryshe nga partitë opozitare të cilat kanë shpenzuar shuma të konsiderueshme në këtë drejtim", theksoi Cakolli.

Bazuar në statistikat që ai shpalosi, në sponsorizime digjitale të postimeve nga partitë politike, udhëheq LDK-ja.

DnV-ja konsideron se masat financiare si rritja e pensioneve, pagës minimale dhe pagave në sektorin publik, të miratuara nga Qeveria, që pritet të hyjnë në fuqi pak kohë para zgjedhjeve, shpërfaqin një model të rrezikshëm të përpjekjes për të ndikuar te votuesit nëpërmjet fondeve publike.

Sa i përket punës së KQZ-së, DnV-ja vlerëson se ajo ka bërë progres të rëndësishëm duke digjitalizuar pjesën më të madhe të operacioneve zgjedhore si dhe duke iniciuar fushatë proaktive për informim dhe edukim të votuesve.

Koalicioni i organizatave Demokracia në Veprim do të angazhohet për të vëzhguar fushatën zgjedhore 30 ditore nga 38 vëzhgues afatgjatë në të gjitha komunat e Kosovës ndërsa gjatë ditës së zgjedhjeve, 550 vëzhgues të tjerë afatshkurtër do të angazhohen për të mbikëqyrur procesin.

AA