Në Tiranë është organizuar tryeza e diskutimit me temë "Fushata zgjedhore - financimi, roli dhe përgjegjësia e medias, si dhe gjuha e urrejtjes dhe standardet etike gjatë fushatës zgjedhore", me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve dhe organizatave të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.
Aktiviteti u organizua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ) në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian dhe Misionin e OSBE-së në Tiranë, ndërkohë në fokus kishte diskutimet për disa çështje në lidhje me rolin e mediave gjatë fushatës zgjedhore, financimet e partive politike dhe kandidatëve të ndryshëm në zgjedhje.
Komisari Shtetëror i Zgjedhjeve i Shqipërisë, Ilirjan Celibashi, në fjalën e tij në aktivitet tha se media është një mbikëqyrëse e drejtpërdrejtë dhe vlerësuese e rolit dhe angazhimit të partive politike e të kandidatëve si në veprimtarinë e tyre të përditshme politike, por edhe në rastin e fushatave elektorale.
"Është e qartë në lidhje me atë se çfarë përfaqëson media në përgjithësi në shoqëri. Realisht përfaqëson një pushtet të dorës së parë dhe të tillë e ka këtë pushtet edhe në çështjet që lidhen me fushatat zgjedhore. Në fakt, mënyra e ushtrimit të pushtetit nga ana e medias është përcaktuese në një mënyrë ose tjetër edhe për standardin e procesit zgjedhor. Nga ana tjetër, nuk mund të ketë zgjedhje të lira, të drejta dhe të ndershme, nëse një shoqëri nuk është e lirë dhe nëse media nuk është e lirë", u shpreh Celibashi.
Celibashi theksoi se shumëllojshmëria e pronësisë mbi median krijon një mundësi më të mirë për mbrojtjen e interesit publik.
Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Guido De Sanctis, theksoi se ndikimi që ka financimi i fushatave në mbulimin mediatik gjatë zgjedhjeve është një element i rëndësishëm.
"Paratë që shpenzohen nga partitë politike për reklamimet, mund jenë domethënëse dhe ky investim mund të ketë dhe një ndikim në mbulimin e medias në lidhje me zgjedhjet. Por, në fund ekziston rreziku që kandidati me më shumë para mund të dominojë mbulimin e medias gjatë zgjedhjeve. Kjo është arsyeja pse OSBE-ja mbështet dhe inkurajon një vëzhgim etik dhe profesional të medias, duke mbajtur publikun të informuar në lidhje me origjinën dhe fondet", u shpreh ambasadori De Sanctis.
Pjesë e aktivitetit me diskutimet e tyre ishin edhe përfaqësues të Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe të institucioneve të ndryshme të Shqipërisë.