Osmani: A5 me rol të rëndësishëm për integrimin euroatlantik të rajonit

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, theksoi se iniciativa ShBA-Karta e Adriatikut (A5), luajti një rol të rëndësishëm në procesin e integrimit euroatlantik të vendeve të rajonit.

Osmani u prezantoi ambasadorëve të vendeve anëtare dhe vëzhguese të A5 prioritetet dhe synimet e Maqedonisë së Veriut gjatë presidencës së Kartës në vitin 2023.

Një nga sfidat më të mëdha, sipas tij, përbën krijimi i një koncepti të ri strategjik të A5, i cili duhet të jetë një pasqyrim i rolit të organizatës në dekadën e ardhshme.

Sipas Osmanit, iniciativa A5 ka plotësuar në masë të madhe qëllimin fillestar për të cilin ishte themeluar.

"A5 luajti një rol të rëndësishëm në procesin e integrimit euroatlantik të vendeve të rajonit dhe sot praktikisht të 3 vendet themeluese të Kartës, plus Mali i Zi si anëtar i mëvonshëm i Kartës tashmë janë anëtarë të NATO-s. Presidenca jonë përkon me kremtimin e 20-vjetorit të themelimit të A5. Pas dy dekadash ekzistencë, rrethanat gjeopolitike kanë ndryshuar dukshëm në gjithë kontinentin dhe jo vetëm në rajon. Dhe kjo veçanërisht pas agresionit aktual ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës", tha Osmani.

Ambasadorja e ShBA-së në Shkup, Angela Price Aggeler, nga ana tjetër theksoi se ka besim se Maqedonia e Veriut do të shkëlqejë në udhëheqjen e organizatave jashtëzakonisht të rëndësishme për të nxitur sigurinë dhe stabilitetin në Evropë.

"Sukseset e organizatës gjatë dy dekadave të fundit janë të qarta", tha Aggeler duke shtuar se prej kur iniciativa është zgjeruar në formatin A5, Mali i Zi është bërë aleati i tyre në NATO.

Sipas saj, A5 jep shembullin e angazhimit të ShBA-së për integrimin euroatlantik të partnerëve të tyre nga Ballkani Perëndimor.

"Avancimi i sigurisë dhe i stabilitetit evropian nuk ka qenë kurrë më kritik për Evropën se sa sot. Lufta e agresionit të paramenduar, e paprovokuar dhe e paligjshme e Rusisë ndaj Ukrainës ka dhënë një kujtesë të kthjellët për domosdoshmërinë e organizatave si NATO dhe OSBE", tha Aggeler.

Themeluar në vitin 2003, iniciativa A5 synon promovimin dhe ruajtjen e vlerave të NATO-s, ndërsa anëtarë, përveç Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së, janë edhe Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Kroacia dhe Mali i Zi.

Kosova, Serbia dhe Sllovenia janë në statusin e vendeve vëzhguese.

Përveç me iniciativën A5, Maqedonia e Veriut nga 1 janari ka marrë edhe kryesimin njëvjeçar të OSBE-së.

AA