Osmani dhe Kurti kërkojnë drejtësi në 25-vjetorin e Masakrës së Dubravës / Foto: AA

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë kërkuar drejtësi në 25-vjetorin e masakrës në burgun e Dubravës, në Komunën e Istogut.

Presidentja Osmani tha se pushteti gjenocidal i Serbisë vrau brenda burgut të Dubravës të burgosur shqiptarë të luftës dhe të burgosur politik.

"Kjo masakër shpërfaqi sikur edhe në shumë masakra të tjera gjithandej Kosovës, egërsinë e pushtetit kriminal kundrejt të burgosurve shqiptarë të luftës dhe të burgosurve politikë, të cilët padrejtësisht mbaheshin në burg", ka shkruar Osmani.

Presidentja Osmani tha se bashkëndjejnë me të gjitha familjet që humbën anëtarët e tyre në këtë masakër, ndërkaq të mbijetuarit i ka inkurajuar të vazhdojnë ta mbrojnë të vërtetën dhe të luftojnë për drejtësi.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti nderoi dhe përkujtoi me homazhe të vrarët në mënyrë mizore në masakrën e Dubravës, duke thënë se nga 980 të grumbulluar në burgun e Dubravës, vetëm 771 i mbijetuan masakrës ndërsa të tjerët u masakruan dhe plagosën.

Ai theksoi se i zhdukuri në këtë masakër, që është politikani dhe ideologu politik i çështjes kombëtare profesor Ukshin Hoti, është e vërteta e shkruar dhe e jetuar e fatit politik të shqiptarëve nën Serbi. Është e vërteta e mijëra të zhdukurve me dhunë nga Serbia, prej të cilëve 1.597 janë ende të pagjetur.

"Shteti ynë, Republika e Kosovës, do të gjejë rrugë dhe mënyra, për të dëshmuar sërish e përsëri, sikur sot, sikur vitin e kaluar, sikur që e kemi bërë gjatë këtyre 25 viteve, për të vënë drejtësi dhe për të vërtetën aq të rëndësishme të historisë, të sakrificës dhe të qëndresës së popullit tonë", tha Kurti.

Të pranishëm në këto homazhe, organizuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin organizativ të ish të burgosurve politikë të Burgut të Dubravës, ishin Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu - ministre e Drejtësisë, Enver Dugolli - deputet në Kuvendin e Kosovës, Nait Hasani - ish i burgosur politik, Andin Hoti - kryetar i Komisionit Qeveritar për personat e zhdukur, deputetë të Kuvendit, anëtarë të kabinetit qeveritar, familjarë të të vrarëve, dëshmorëve dhe të mbijetuarve të masakrës së Dubravës.

Prej 19 deri më 24 maj 1999, nga rreth 1 mijë të burgosur shqiptarë sa ishin grumbulluar këtu, 116 të burgosur u vranë dhe një u zhduk. 771 të burgosur mbijetuan, prej të cilëve 185 ishin të plagosur.

Në fillim, NATO-ja kishte pohuar se burgu ishte kazermë ushtarake. Duke synuar forcat jugosllave dhe serbe, NATO-ja bombardoi burgun më 19 maj dhe 21 maj 1999.

Më 22 maj, forcat serbe të sigurisë rreshtuan këta të burgosur në oborr dhe qëlluan mbi ta me snajperë, mitralozë dhe granata nga muret e burgut dhe kullat për roje, duke vrarë të paktën 70 njerëz. Disa të tjerë të burgosur u vranë gjatë 24 orëve të ardhshme pasi rojet e burgut, policia speciale sulmuan të burgosurit që fshiheshin në ndërtesat e shkatërruara të burgut, bodrume dhe kanalizime.

AA