Krerët e Kosovës kanë shprehur ngushëllime pas tragjedisë së fundit në një nga shkollat e Beogradit në Serbi, ku një nxënës i shkollës fillore me armë zjarri privoi nga jeta disa nxënës dhe rojën e sigurisë së shkollës.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ngushëllimin e saj për prindërit që humbën fëmijët dhe të prekurit nga kjo tragjedi, theksoi se Kosova lutet për shërim të shpejtë të të plagosurve të tjerë.
“Nuk ka asgjë më të vlefshme se jeta e një fëmije dhe asgjë më e dhimbshme se humbja e asaj jete. I dërgoj ngushëllimet e mia më të thella të gjithë prindërve që humbën fëmijët e tyre në një sulm të tmerrshëm në shkollë dje në Beograd dhe lutemi për shërim të shpejtë për të gjithë të plagosurit”, ka shkruar Osmani.
Ngushëllimet e tij për rastin në fjalë i ka shprehur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të thella për viktimat e të shtënave në shkollë në Beograd dhe për familjet e tyre. Gjithashtu, u uroj shërim sa më të shpejtë të lënduarve në këtë ngjarje tragjike”, ka shkruar ai në Twitter.
Autori i vrasjes, K. K., 14-vjeçar, i cili ka plagosur edhe gjashtë nxënës dhe një mësuese, ashtu siç kanë njoftuar nga policia e Beogradit është arrestuar në oborrin e shkollës.
Shefi i Policisë së Beogradit, Veselin Miliq, ka deklaruar se janë duke u bërë hetime për ndriçimin e rastit.
Sipas njohurive, siç ka treguar Miliq, 14-vjeçari veprën penale e kishte planifikuar për një kohë të gjatë.