Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha sot në Bruksel se bisedimet me kryeministrin e Kosovës dhe zyrtarët evropianë kanë qenë të pasuksesshme.
"Bisedimet përfunduan pa sukses në drejtim të gjetjes së një rruge të qartë drejt normalizimit të marrëdhënieve. Të gjithë kemi sugjerimet tona. Në fund, ne si Serbi i pranuam propozimet e kompromisit të BE-së. Kurti nuk pranoi dhe takimi ka përfunduar", deklaroi Vuçiq pas takimit.
Ai shtoi se kryeministri i Kosovës po i shmanget formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. "Serbia nuk ik nga obligimet e saj, por ne dhe BE-ja e kemi thënë se cili është plani i detajuar. Ne e pranuam propozimin, pavarësisht se nuk është aspak i lehtë, ndërkaq Kurti e refuzoi", tha Vuçiq.
Vuçiq shpjegoi se propozimi evropian i referohet para së gjithash formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilën, siç pretendon presidenti serb, pala kosovare e refuzon.
"Nuk besoj se ky është fundi i botës. Do të shihet se kush është meritori, kush është përgjegjës. Kjo është diçka që duhet të ndodhë. Për ne e rëndësishme është që të vazhdojmë bisedimet", tha presidenti serb.
Pas takimeve të ndara, sot në Bruksel është mbajtur takim trepalësh mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian (BE) në kuadër të raundit të ri të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Në takim, i cili zgjati rreth dy orë, morën pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrell dhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit Mirosllav Lajçak.
Shefi i diplomacisë evropiane Borrell do t'u drejtohet gazetarëve për detajet e takimit. Ai gjatë takimit tha se është koha që Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve të fillojë të zbatohet me seriozitet dhe se sot do të bëhet e qartë nëse palët janë të gatshme të marrin përgjegjësi.
Takimi i fundit është mbajtur më 22 qershor të këtij viti, për shkak të rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, ndërsa gjatë kësaj periudhe janë mbajtur vetëm takime të ndara ndërmjet përfaqësuesve të Beogradit dhe Prishtinës me nikoqirët e Brukselit.