Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, para takimit të Këshillit të Sigurimit ka thënë se e vërteta do të dëgjohet dhe do të mbrohet.
Osmani përmes një video të publikuar në Facebook, ku prezentë ishin edhe Fahrije Hoti, Vasfije Krasniqi, Elhame Muçolli dhe Shyrete Tairi, tha se do të sigurohen që të dëgjohet zëri i të gjithë qytetarëve.
“Jam bashkë me Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muçollin dhe Shyrete Tairin me katër heroina të cilat janë simbol i forcës, simbol i guximit, i mbijetesës, por po ashtu simbol i sukseseve të republikës sonë. Do ta përfaqësojmë së bashku Kosovën tonë të gjithë qytetarët tanë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit. Edhe pse është një ndër mbledhjet e rregullta që mbahet vazhdimisht për Kosovën do të sigurohemi që të dëgjohet zëri i të gjithë qytetarëve tanë, do të sigurohemi të dëgjohet që Kosova është vërtet storje suksesi përkundër përballimit të dhimbjeve të shumta dhe sakrificës së jashtëzakonshme”, tha Osmani.
Ajo po ashtu tha se do të sigurohet të tregojnë për rreziqet e sigurisë me të cilat Kosova përballet për shkak të veprimeve destabilizuese të Serbisë.
“Do ta përsërisim kërkesën tonë të vazhdueshme për drejtësi”, shtoi Osmani.
Sipas saj akoma nuk ka drejtësi për 13 mijë viktima civile, akoma nuk ka drejtësi për mijëra gra të dhunuara nga forcat serbe dhe mijëra fëmijë që janë vrare dhe sipas saj s’ka përgjigje për mijëra të zhdukur.
Takimi i Këshillit të Sigurimit do të mbahet sot në orën 16:00.