Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka pritur në takim Emisarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili po qëndron në Kosovë për vizitë zyrtare.
Në një konferencë për media pas takimit, presidentja Osmani tha se bashkëpunimi me aleatët është jo vetëm i dobishëm por i domosdoshëm dhe kjo është jetike kur Kosova ka ndërmarrë "tashmë hapa krucialë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës".
Presidentja Osmani tha se me Escobarin diskutuan edhe për çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës e cila e njeh vetëm euron si valutë për operacione me para të gatshme në Kosovë.
"Zbatimi i qëndrueshëm dhe efikas i kësaj Rregulloreje është i mundshëm në bashkëpunim të plotë dhe me mbështetjen e aleatëve tanë. Aleatët tanë janë pro zbatimit të Kushtetutës siç e kam thënë çdo herë dhe në favor të një plani tranzicional të qëndrueshëm, prandaj besoj se edhe çështja e kësaj rregulloreje do të ecet përpara me një zgjidhje të përbashkët e në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës", theksoi Osmani.
Ajo shtoi se angazhimi dhe roli i ShBA-së për përmbyllje të dialogut që çon në njohje reciproke Kosovë-Serbi, mbetet thelbësor.
Emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Escobar, ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës që Manastirit të Deçanit t'i jepet sipërfaqja e kërkuar, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se "ishte vendim i vështirë, por i domosdoshëm".
Escobar ka thënë se me presidenten Osmani ka biseduar edhe për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator, zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksin e saj midis Kosovës dhe Serbisë, rregulloren e BQK-së.
"Siç e përmendi presidentja Osmani, të dyja palët duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë për të pasur marrëveshje historike të normalizimit. Dhe, ne gjithashtu punojmë për të sjellë Serbinë para zbatimit të kërkesave për të. Prandaj, nuk është kjo një përpjekje unilaterale që vetëm Kosova të ndërmarrë vendime të vështira të cilat i kërkohen që Marrëveshja Bazike dhe ajo e Ohrit të bëhet realitet", ka thënë Escobar.
Escobar do të takohet gjatë ditës edhe me krerët e partive opozitare parlamentare në vend, ndërsa të enjten do të pritet në takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.