Me intonimin e himnit shtetëror dhe atij kombëtar, si dhe me një minutë heshtje për të rënët për lirinë e Kosovës, filloi seanca solemne e Kuvendit të Kosovës me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës më 12 qershor 1999.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, para të pranishmëve tha se Kosova e meriton anëtarësimin në NATO, 25 vjet pas çlirimit me ndihmën e NATO-s. Ajo tha se çlirimi i Kosovës në vitin 1999 nuk ishte thjesht fitore ushtarake e NATO-s dhe kapitullim i Serbisë, por edhe triumf i shpirtit njerëzor mbi tiraninë dhe i të mirës mbi të keqen.
"Hyrja e NATO-s në qershor të 1999-s ishte fuqi e solidaritetit ndërkombëtar dhe besimit universal të një populli për të qenë i lirë. Liria është më shumë se sa fjalë. Është thelbi i qenies sonë. Ajri që e thithim, ëndrra që guxojmë ta ëndërrojmë. E ardhmja që aspiruam dhe për të cilën luftuan e dhanë jetën çlirimtarët tanë", ka thënë Osmani.
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj tha se në ditë si kjo e çlirimit, kujtohen familja Jashari dhe të gjithë luftëtarët e ushtrisë çlirimtare, derisa shtoi se për lirinë e Kosovës luftuan edhe shumë shqiptarë nga Shqipëria.
Begaj tha se "ne kemi nevojë më shumë se kurrë që të jemi bashkë".
"Në një kohë kur Serbia dhe aleatët e saj kanë mobilizuar kapacitet diplomatike, mediatike, një fushatë krejtësisht keqdashëse, për të njollosur luftën e drejtë dhe parimore të shqiptarëve për çlirimin e Kosovës, ne kemi nevojë më shumë se kurrë të jemi bashkë. Kemi nevojë më shumë se kurrë për një manifest krenarie kombëtare që nuk ka pse të na kompleksojë", theksoi Begaj.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se më 12 qershor të vitit 1999, dhjetëra dhe mijëra trupa ushtarake të NATO-s filluan ta kalojnë kufirin dhe të futen si trupa këmbësorie në territorin e Kosovës, pas një fushate 78 ditore të bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavinë për të ndalur gjenocidin mbi shqiptarët.
Kurti tha se Kosova e ka synim Bashkimin Evropian si familje politike, e NATO-n si destinim ushtarak.
"Nga kjo histori duhet të nxirren mësime e kjo kuptohet nga rreshtimi gjeopolitik e gjeostrategjik. Serbia po rri e rreshtuar kah Rusia, si Rusia që qëndron prapa qëndrimeve të Serbisë. Populli ynë e Shqipëria në vazhdimësi i kanë forcuar lidhjet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) e me vendet e tjera evropiane. Bashkimi Evropian është familja e synuar politike, e NATO-ja destinimi ynë ushtarak", ka deklaruar Kurti.
Kreu i ekzekutivit është shprehur para të pranishmëve se Kosova dëshiron marrëdhënie të mira e njohje reciproke me vendet fqinje "pa sulme e agresione".
Përveç presidentit të Shqipërisë, në këtë seancë morën pjesë edhe mysafirë të tjerë, përfshirë përfaqësuesin e familjes Jashari, Rifat Jasharin, ish-presidentin kroat Stipe Mesiq, ish-përfaqësuesin e OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, William Walker, kryeparlamentaren e Shqipërisë, Lindita Nikolla, përfaqësues fetarë dhe ambasadorë të vendeve mike.
Sot, 25 vjet pas zbarkimit historik të NATO-s në Kosovë, rreth 5.000 trupa të tyre vazhdojnë të kontribuojnë në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në Kosovë në kuadër të KFOR-it. Numri i tyre është zvogëluar vit pas viti, bazuar në vlerësimet e situatës së sigurisë.