Osmani-Millkov: Provokimet e shumta mos të prishin raportet fqinjësore.     Foto: Bujar Osmani/Facebook

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në kuadër të një vizite në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofje, është takuar me homologun e tij Nikollaj Millkov.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, në takim është biseduar për kontekstin e përgjithshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit, nën prizmin e Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim, si dhe për obligimet e përbashkëta që dalin prej saj.

Njoftohet se gjatë takimit u ra dakord për mekanizma konkretë për parandalimin e gjuhës së urrejtjes në të dyja vendet, me ç’rast që të dy ministrat u pajtuan se nuk duhet të lejohet që provokimet e shumta nga grupe dhe individë në të dyja vendet ta prishin procesin e forcimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore.

“Dua të besoj se së bashku me kolegun Millkov do të bëjmë gjithçka që të mos lejojmë të tjerët ta udhëheqin politikën tonë të jashtme, të tjerët t’i diktojnë marrëdhëniet bilaterale, por ne të dy, bashkë me diplomatët e ministrive tona, në frymën e vlerave evropiane, do të vazhdojmë të ndërtojmë të ardhme evropiane për të gjithë qytetarët tanë”, ka thënë Osmani.

Ai më tutje shtoi se “nuk duhet harruar se jemi aleatë aktualë në NATO, partnerë të ardhshëm në Bashkimin Evropian, por mbi të gjitha miq dhe fqinjë të mirë dhe pres që bashkëpunimi ynë të zhvillohet në përputhje me këto rrethana”.

Në kuadër të takimit u soll edhe vendimi që në muajin dhjetor të mbahet Forumi i ardhshëm i Biznesit mes dy vendeve, në të cilin do të shqyrtohen mënyrat për të trajtuar bashkërisht çështjet më aktuale, siç janë: sfidat energjetike, si dhe bashkëpunimi në bujqësi, shëndetësi dhe valorizimi i përfitimeve të bashkëpunimit ndërkufitar, thuhet në njoftim.

Në takim u bë shqyrtim i aktiviteteve të deritanishme në lidhje me hapjen e kalimit kufitar Klepalo, si dhe i bashkëpunimit në planin e kulturës, duke inkurajuar qartë intensifikimin e bashkëpunimit kulturor, i cili nëpërmjet vlerave të tij universale duhet të veprojë në drejtim të afrimit dhe ndërtimit të miqësisë mes qytetarëve të të dyja vendeve, njoftoi Ministria.

AA