Osmani: Na duhet mbështetja e aleatëve për vendimin rreth dinarit serb /Foto: AA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se qytetarëve duhet t'u jepet një afat i caktuar që Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) e cila parasheh ndalimin e qarkullimit të dinarit si valutë për operim në Kosovë nga 1 shkurt, të zbatohet pa probleme.

Presidentja Osmani e cila u deklarua për media pas homazheve që bëri pranë bustit të heroit Zahir Pajaziti, në 27 vjetorin e rënies së tij bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, tha se këto dy ditë do të ketë një marrëveshje për zbatimin e vendimit të BQK-së në terren.

Osmani tha se mund të kalojnë një deri në dy muaj që vendimi të zbatohet plotësisht, por jo të mbetet vetëm në letër, derisa shtoi se zbatimi i plotë i këtij vendimi kërkon edhe mbështetjen e vendeve aleate.

"Sa i përket zbatimit në praktikë të këtyre parimeve, janë duke u diskutuar një sërë opsionesh, të cilat nga njëra anë do ta respektonin nenin 11 të Kushtetutës, por në anën tjetër do të lënë një kohë për informimin e qytetarëve dhe bartjen e tyre në llogari të reja, e të tjera, në mënyrë që Rregullorja të zbatohet pa asnjë problem dhe me përkrahjen e plotë të shteteve aleate", theksoi Osmani.

Presidentja Osmani e krahasoi çështjen e ndalimit të dinarit serb i cili përdoret kryesisht në komunat veriore me shumicë serbe, me situatën e riregjistrimit të tabelave ilegale në veri në ato legale "RKS", kur aleatët kërkuan nga Qeveria e Kosovës shtyrjen e vendimit për një kohë.

Gjatë këtij muaji, BQK ka marrë vendim që nga 1 shkurti në Kosovë valuta e euros të jetë valuta e vetme e lejuar për kryerjen e transaksioneve me para të gatshme.

AA