Osmani në Antalia: Rusia sytë në Ballkan, dëshiron front kundër Perëndimit      / Foto: AA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një panel në Forumin Diplomatik në Antalia të Türkiyes tha se në të gjitha luftërat dhe konfliktet vuajnë njerëz të pafajshëm, gra dhe fëmijë.

Osmani ishte një nga folësit në panelin e liderëve me titull “Fokusi në diplomacinë në kohë krize”, ku u theksua veçanërisht rëndësia e dialogut dhe diplomacisë për një botë të polarizuar për shkak të rënies së besimit në sistemin ndërkombëtar.

Presidentja e Kosovës theksoi se vendi i saj gjithmonë ka qëndruar për negociata paqësore në mënyrë që lufta në Kosovë të përfundojë sa më shpejt.

Duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së vendeve mike në kohë të trazuara, Osmani tha se ata i kushtojnë rëndësi të veçantë krijimit të partneriteteve me aktorë si Bashkimi Evropian (BE), Türkiye dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Osmani tha se Kosova është një vend shumë i ri, duke shtuar se në diplomaci edhe fitimet e vogla mund të konsiderohen si fitore.

"Nuk mund të kesh gjithçka menjëherë", tha ajo.

Ajo vuri në dukje se mbështetja për vendet që kalojnë kohë të vështira nuk duhet të jetë një gjë e njëhershme.

“Për ne ishte vërtetë një fitim i madh që opinioni publik ndërkombëtar dhe bashkësia ndërkombëtare na qëndruan pranë dhe më pas vendosën paqen”, tha Osmani.

Ajo theksoi se në të gjitha luftërat dhe konfliktet vriten njerëz të pafajshëm, gra dhe fëmijë.

Osmani theksoi se Kosova po përpiqet shumë që të ruajë paqen dhe stabilitetin në vend, së bashku me të gjitha palët e interesuara.

“Sytë e Rusisë janë në Ballkan dhe ajo dëshiron të hapë një front të ri kundër Perëndimit”, shtoi Osmani.

Ajo shtoi se rezultati i luftës ruso-ukrainase do të jetë një shembull për gjithë botën, duke theksuar se ajo mbështet paqen e kërkuar nga Ukraina dhe rendin botëror të bazuar në sundimin e ligjit.

Osmani tha se përhapja e konfliktit në rajon do të trimëronte presidentin rus Vladimir Putin dhe se kjo duhet të parandalohet.

"Unë mendoj se diktatorët nuk mendojnë për njerëzit e tyre. Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, gjithashtu humbi qindra mijëra ushtarë të tij, por ai mendoi vetëm për veten e tij. Putin humbi gjithashtu qindra mijëra ushtarë, por ai ia mendoi vetëm vetes së tij", potencoi Osmani.

Në të njejtin panel folën edhe Presidenti bullgar Rumen Radev dhe presidenti somalez Hassan Sheikh Mohamud.

Forumi treditor Diplomatik në Antalia (ADF) ka mbledhur pjesëmarrës nga 147 vende.

TRT Balkan / agjencitë