Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në margjina të Samitit të NATO-s, është takuar me presidentin e Kroacisë Zoran Millanoviq dhe kryeministrin e Bullgarisë Dimitar Gllavçev.
Presidenti Osmani theksoi se Kroacia është një nga aleatët kyç të Kosovës në rajon dhe një nga partnerët kryesorë në “rrugën tonë euroatlantike”, njoftoi Presidenca e Kosovës.
Osmani me kolegun e saj Millanoviq ka diskutuar ndër të tjera për aspiratën e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe mbështetjen jetike të aleatëve kroatë, si dhe rëndësinë strategjike të anëtarësimit të Kosovës për paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në rajon dhe më gjerë.
Në këtë kontekst, Osmani ka falënderuar Millanoviqin, i cili ka qenë gjithmonë zë i fuqishëm për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, presidentja Vjosa Osmani tha se takimi me kryeministrin Gllavçev u fokusua në partneritetin e fortë mes Kosovës dhe Bullgarisë.
“Me Kryeministrin e Bullgarisë, Dimitar Gllavçev, takimi ynë në margjina të Samitit të NATO-s u fokusua në partneritetin e fortë ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë dhe angazhimin tonë të përbashkët për stabilitetin dhe sigurinë rajonale”, ka shkruar Vjosa Osmani.
Po ashtu, presidentja Vjosa Osmani tha se kanë diskutuar edhe për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe mbështetjen e vazhdueshme nga partnerët tanë bullgarë.