Osmani nga Sarajeva: Lufta kundër korrupsionit, prioritet i OSBE-së.     /Foto: AA

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njëherësh kryesues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e filloi vizitën dyditore në Bosnjë e Hercegovinë me një takim me anëtarët e Presidencës vendit.

Osmani u prit në Sarajevë nga anëtarët e Presidencës së BeH-së, Denis Beqiroviq dhe Zheljko Komshiq, pasuar nga takimi i dy delegacioneve.

Pas takimit me anëtarët e Presidencës, Osmani bisedoi edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të BeH-së, Elmedin Konakoviq.

Lufta kundër korrupsionit është në krye të listës prioritare të presidencës së tij, tha kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani në konferencën e përbashkët për media me kryediplomatin e BeH, Konakoviq.

"Të vetëdijshëm për rëndësinë e tij të madhe, ne e vendosim luftën kundër korrupsionit në krye të listës prioritare të presidencës sonë. OSBE-ja do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për autoritetet e Bosnjë e Hercegovinës në përpjekjet e tyre për të siguruar zbatimin efektiv të ligjeve ekzistuese dhe rregulloret për luftën kundër korrupsionit dhe ndëshkimin e atyre që kryejnë akte korrupsioni”, tha Osmani.

Në kohën e agresionit ndaj Ukrainës, misioni i OSBE-së është edhe më i rëndësishëm”, theksoi Konakoviq në fjalimin e tij para mediave.

“Ne folëm se si njerëzit punëtorë nga misioni shpesh i zgjidhin problemet në terren, nëpërmjet komunikimit dhe bashkëpunimit të mirë me komunitetet lokale, me qeveritë kantonale dhe të entiteteve, dhe atje projektet janë shumë të matshme dhe të dukshme”, tha Konakoviq.

Gjatë qëndrimit në BeH, Osmani do të vizitojë Mostarin dhe Jabllanicën, ku do të takohet me kryetarin e Komunës së Mostarit, Mario Kordiq, dhe kryetarin e Komunës së Jabllanicës, Damir Shabanoviq.

Përveç takimit të planifikuar me anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Osmani do të takohet edhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

Vizita e tij do të përfshijë takime me shefin e Misionit të OSBE-së në Bosnjë e Hercegovinë dhe stafin e misionit, ndërsa gjithashtu do të ketë një mundësi për t’u njohur nga afër me punën e këtij misioni në terren.

TRT Balkan / agjencitë