Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani tha se vendi i tij nuk do të pranojë asgjë më pak se anëtarësimin e plotfuqishëm në Bashkimin Evropian (BE).
Kryediplomati Osmani iu përgjigjej pyetjeve të gazetarëve të cilët kërkuan koment pas deklaratave të përfaqësuesve të lartë evropianë dhe liderëve të vendeve anëtare të BE-së. Pyetja ishte nëse Maqedonia e Veriut është e gatshme të pranojë anëtarësim me të drejta të pabarabarta në BE nëse ky është kushti, ndërsa i referohej deklaratës së presidentit francez Emmanuel Macron për "Evropën me disa shpejtësi".
Osmani iu referua deklaratës së kryetarit të Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili në Forumin Strategjik të Bledit tha se BE-ja do të jetë e gatshme të pranojë anëtarë të rinj në vitin 2030.
Gjithashtu, Osmani tha se në Bled ka marrë konfirmimin nga zyrtarë të lartë francezë, përfshirë ministren franceze për Evropën, Laurence Bonn, se Macron nuk ka folur për "shpejtësi" në kuptimin e shteteve anëtare të privilegjuara dhe më pak të privilegjuara.
"Deklarata e Macronit, në leximin e parë, po, tingëllon si një mohim i deklaratës së mëparshme të Michelit. Por, në Bled ishte ministrja franceze për Çështje Evropiane, Laurence Bonn, e cila më herët ishte gjithashtu në Shkup. Ishte Alexandre Adam, i cili ishte këshilltari i Macronit dhe krijuesi i propozimit francez. Ata thanë se Macron foli për shpejtësi në kuptimin që nuk do të hyjnë të gjitha shtetet menjëherë, por me shpejtësi të ndryshme në varësi se cili është gati, jo 'Evropa në shtresa', në kuptimin të privilegjuar dhe më pak të privilegjuar, sepse ne nuk do të pranojmë asgjë më pak se anëtarësimin e plotë në BE", tha Osmani.
Ai deklaroi se ka kohë që e promovon konceptin "më shumë integrim para anëtarësimit", i cili, sipas tij, parasheh që vendi që përmbush një kapitull të caktuar të negociatave, të bëhet pjesë e asaj politike të BE-së.
Sipas Osmanit, në këtë mënyrë vendet kandidate do të hyjnë në tregun e përbashkët, do të kemi qasje në fondet e BE-së dhe ato do të jenë në BE edhe para vetë anëtarësimit.
"E vetmja gjë që nuk do të kemi deri atëherë është e drejta e votës, të cilën do ta marrim në ditën e anëtarësimit. Mendoj se në këtë mënyrë do të kemi edhe qëllime vjetore që do t'i arrijmë, në vend të vetëm një qëllimi afatgjatë që është pak larg dhe na krijon zhgënjime", tha Osmani.