Osmani: OSBE-ja të adoptojë dhe të zhvillojë aftësitë në përputhje me kohën / Photo: AA

Kryesuesi i OSBE-së, njëherësh ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, mbajti fjalim në hapjen e Konferencës vjetore të OSBE-së për sigurinë kibernetike që mbahet në Shkup.

Në konferencën e titulluar "Njerëz, besim, qëndrueshmëri: Ndërtimi i sigurisë kibernetike për të gjithë", Osmani theksoi rëndësinë e komunikimit dhe ndërlidhjes, duke shtuar se në botën e globalizuar, të qenët i ndërlidhur është një çështje thelbësore.

"Takimi i sotëm ka të bëjë me bashkimin e pikave në sigurinë kibernetike. Ka të bëjë me mjetet dhe rrugët përpara për të mundësuar dhe ruajtur një bashkësi globale të qëndrueshme, të sigurt dhe të ndërlidhur. Ka të bëjë me një botë virtuale pa kërcënime kibernetike dhe hibride ndaj mënyrës sonë të jetesës dhe demokracive tona", tha Osmani.

Ai shtoi se siguria kibernetike është një pjesë integrale e konceptit gjithëpërfshirës të OSBE-së për sigurinë, kështu që Maqedonia e Veriut në kryesimin me organizatën, e vendosi sigurinë kibernetike shumë lart në agjendë.

"Duke synuar objektiva të mëtejshme dhe me një kuptim të qartë të ndikimit të rëndësishëm të teknologjive në zhvillim, inteligjencës artificiale dhe teknologjive tjera, unë do t'u rekomandoj kryesuesve të ardhshëm të OSBE-së që të emërojnë një përfaqësues të posaçëm për teknologjitë në zhvillim. OSBE-ja duhet të adoptojë dhe të zhvillojë aftësitë e saj në përputhje me sfidat bashkëkohore", tha Osmani.

Duke përmendur luftën kibernetike që po zhvillohet paralelisht me luftën reale në Ukrainë, Osmani bëri thirrje për një qasje të përgjegjshme të shteteve dhe bashkëpunim të shtuar.

"Siguria kibernetike nuk ka të bëjë vetëm me virtualen, por edhe me virtytet dhe vlerat që ne kultivojmë, promovojmë dhe luftojmë për t'i mbrojtur. Dhe pikërisht për këto motive duhet të qëndrojmë të ndërlidhur, të punojmë së bashku dhe të ndjekim një qasje të përgjegjshme në hapësirën kibernetike. Duke u mbështetur në besimin tonë të ndërsjellë, duke përforcuar kapacitetet tona dhe duke punuar së bashku, ne mund të ecim përpara drejt një bote virtuale më të sigurt", tha Osmani.

Përpos kryesuesit Osmani, në Konferencën vjetore të OSBE-së për sigurinë kibernetike fjalim përshëndetës nëpërmjet video-lidhjes kishin edhe Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së Helga Schmid, si dhe kryediplomatja e Finlandës Elina Valtonen, vendi i radhës që duhet të kryesojë OSBE-në.

AA