Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, takoi nënsekretaren për çështje politike në Stejt Departamentin Amerikan, Victoria Nulland, në margjinat e takimit ministror të OSBE-së në Lodz të Polonisë.
Siç thuhet në kumtesën e MPJ-së, Osmani dhe Nulland biseduan për marrëdhëniet e shkëlqyeshme dypalëshe të cilat vazhdimisht pasurohen, e në veçanti iu referuan rezultateve të para konkrete të Dialogut Politik të mbajtur së fundmi.
Gjithashtu, u bisedua edhe për bashkëpunimin mes Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së në organizatat shumëpalëshe si NATO-ja dhe OSBE-ja.
Maqedonia e Veriut merr kryesimin e OSBE-së në vitin 2023, ndërsa Osmani e ka njoftuar Nullandin me prioritetet e presidencës së Maqedonisë së Veriut me Organizatën e Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Evropë.
“Si kryesues e OSBE-së 2023, Maqedonia e Veriut, përveç luftës në Ukrainë, do t'i kushtojë vëmendje të veçantë rajoneve të tjera të krizës, duke forcuar më tej misionet e paqes së OSBE-së në terren. OSBE-ja mund të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjeve të nevojshme, me qëllim uljen e tensioneve, forcimin e parashikueshmërisë, rivendosjen e kanaleve të komunikimit dhe dialogut”, shkruan Osmani në rrjetin social Facebook.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për mbështetjen e ShBA-së në promovimin e parimeve dhe obligimeve të OSBE-së dhe tha se pret bashkëpunim edhe gjatë kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në, siç është dakorduar në kuadër të Dialogut Strategjik me ShBA-në.