Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në një konferencë për media njoftoi mbi detajet e Forumit të Prespës për Dialog (FPD), i cili mbahet sot dhe nesër në Ohër.
Ministri Osmani theksoi se datat e mbajtjes së forumit përkojnë me 4-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës me të cilën u zgjidh kontesti mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë në lidhje me emrin.
Osmani u shpreh se është kënaqësi e madhe që organizohet forumi për herë të dytë, që sipas tij, vërtetohet synimi i vitit të kaluar që forumi të shndërrohet në platformë të rregullt të ndërtimit të urave dhe kulturës së miqësisë.
"Maqedonia e Veriut me organizimin e sivjetmë të kësaj ngjarjeje të rëndësishme vërtetoi vendin e saj në hartën e bashkësisë ndërkombëtare si partner serioz nga i cili dalin iniciativa pozitive dhe arriti që edhe një herë të dëshmohet si aleat i rëndësishëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për kontributin në marrëdhëniet ndërkombëtare", tha Osmani.
Duke folur për temën e sivjetme të forumit, të titulluar „Ndërtimi i së ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore evropiane të sigurisë“, Osmani tha se kjo ka për qëllim të pasqyrojë sfidat aktuale të politikës së jashtme dhe kërcënimet bashkëkohore të sigurisë.
"Ballkani Perëndimor është në mënyrë të pashmangshme pjesë e kësaj arkitekture të re të marrëdhënieve ndërkombëtare, veçanërisht nga aspekti i arkitekturës së re të sigurisë së Evropës. Kjo për momentin është tema më e rëndësishme për ne, por edhe çështje e sigurisë e cila qëndron lartë në agjendën e partnerëve tanë", tha Osmani.
Ai tha se ndër temat tjera që do të diskutohen gjatë forumit janë ndërtimi i mjedisit të rezistueshëm dhe të sigurt, përforcimi i partneriteteve strategjike, bashkëpunimi ekonomik dhe të tjera.
Osmani tha se në sesionin kryesor të forumit të titulluar "Çka pas Ukrainës?" pritet të ketë fjalim edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
Në FPD janë të pranishëm përfaqësues të lartë të shteteve të rajonit dhe më gjerë, duke përfshirë presidentë dhe kryeministra, përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian (BE), presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, si dhe përfaqësues të posaçëm për rajonin nga SHBA, Bashkimi Evropian (BE), Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe vende të tjera.
Gjithashtu në FPD janë të pranishëm ministra të jashtëm të shumë vendeve, duke përfshirë edhe kryediplomatin turk, Mevlüt Çavuşoğlu.
FPD është një platformë e krijuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut me qëllim që t'u mundësojë vendeve, liderëve, organizatave dhe qytetarëve të ndërtojnë marrëdhënie afatgjata dhe të forcojnë partneritetet.
Forumi synon të frymëzojë dhe promovojë marrëdhënie dhe bashkëpunim të fqinjësisë së mirë. Platforma është konceptuar si një vend për të shkëmbyer pikëpamje dhe ide mbi zgjidhjet e mundshme për çështjet e hapura dypalëshe.