Papunësia në rajon tashmë e lart, parashikime pesimiste për të ardhmen.     Foto: TRT Balkan

Krizat e njëpasnjëshme shëndetësore, ekonomike e politike po godasin vazhdimisht stabilitetin ekonomik në Ballkan. Gjatë pandemisë së Covid-19, shumë ndërmarrje të vogla u mbyllën, ndërsa dhjetëra mijëra njerëz në gjithë Ballkanin Perëndimor humbën vendin e punës.

Sapo filloi rimëkëmbja ekonomike pas tejkalimit të pikut të pandemisë dhe largimit të kufizimeve për lëvizje, lufta në Ukraina shkaktoi krizë energjetike dhe inflacion në gjithë Evropën, përfshirë edhe Ballkanin. Kjo po ndikon në uljen e investimeve nga ndërmarrësit dhe goditje tjetër ndaj rimëkëmbjes ekonomike dhe trendit të punësimit.

TRT Balkan ju sjell një analizë të shkallës së papunësisë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Për shumicën e vendeve, të dhënat janë nga tremujori i dytë i këtij viti, me përjashtim të Kosovës, e cila të dhënat e fundit i ka për vitin 2021. Por, efektet e vërteta të krizave të fundit pritet të ndjehen në tremujorët e ardhshëm.

Papunësia në rajon tashmë e lart, parashikime pesimiste për të ardhmen.     Foto: TRT Balkan

Mali i Zi, Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina me papunësinë më të lartë

Nga shtetet e rajonit, Mali i Zi kryeson me shkallën më të lartë të papunësisë. Sipas Entit për Punësim malazez, 19.08% e popullsisë të moshës 15-64 vjeç janë të papunë. Në numra të përgjithshëm, gjithsej 44.265 qytetarë të Malit të Zi janë pa punë, ndërsa gratë përbëjnë rreth 60% nga numri i të papunëve.

Kosova gjithashtu ka një shkallë relativisht të lartë të papunësisë, me 17.7% të popullsisë aktive të papunë. Gjithsej 89.171 persona të kësaj kategorie janë të papunë në Kosovë, ndërsa pjesën më të madhe e përbëjnë meshkujt, rreth 55.000 qytetarë gjithsej.

Një shkallë e ngjashme e papunësisë si në Kosovë, regjistrohet edhe në Bosnjë e Hercegovinë. Sipas Agjencisë së Statistikës në Sarajevë, 17.4% e qytetarëve të aftë për punë janë të papunë. Në numra të përgjithshëm, 360.434 qytetarë të Bosnjë e Hercegovinës janë pa punë, ndërsa gratë përbëjnë rreth 58% të këtij numri.

Serbia me papunësinë më të ulët, ndiqet nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut

Serbia ka raportuar papunësinë më të ulët nga të gjitha shtetet e rajonit. Enti Shtetëror i Statistikës në Serbi publikoi se shkalla e papunësisë në vend është 8.9%, me gjithsej 287.200 persona të papunë. Gratë përbëjnë shumicën e popullsisë së papunë në Serbi, me rreth 148 mijë gra kundrejt rreth 139 mijë burrave.

Shkalla e papunësisë në Shqipëri, sipas Institutit kombëtar të Statistikave, është 11.1%. Në Shqipëri vërehet se të rinjtë e moshës 15-29 vjeç janë grupi më i përfaqësuar në kategorinë e të papunëve. Gratë përbëjnë shumicën nga numri i përgjithshëm i personave pa punë aktive.

Në Maqedoninë e Veriut gjithsej 119.699 persona të moshës për punë nuk kanë një vend pune. Shkalla zyrtare e papunësisë është 14.5%. Gati 2/3 e qytetarëve të papunësuar në Maqedoninë e Veriut janë meshkuj.

Parashikime pesimiste për të ardhmen

Organizata Botërore e Punës paralajmëroi se shtrëngimet financiare në botë, sidomos në shtetet në zhvillim, do të përkeqësojnë edhe më tej shkallën e punësimit.

Trazirat ekonomike të shkaktuara nga lufta në Ukrainë dhe nga ndikimi i politikës monetare më të shtrënguar në konsum pritet të ndikojnë ndjeshëm në uljen e punësimit, thuhet në raportin e tyre. Rimëkëmbja pas pandemisë do të neutralizohet nga krizat e reja.

Një situatë e ngjashme pritet edhe në Ballkanin Perëndimor. Shumë kompani tashmë kanë filluar shkurtimet nga punësimet aktuale ose të planifikuara.

Ballkani Perëndimor pritet të goditet edhe më rëndë, pasi shkalla e papunësisë në këto vende veçmë ishte mbi mesataren e Evropës.

TRT Balkan