Banka Botërore (BB) ka rishikuar pritshmëritë për rritjen ekonomike të vendeve të rajonit gjatë gjysmës së dytë të vitit 2023.
Krahasuar me raportin e qershorit, Banka Botërore ka ngritur parashikimet për rritjen ekonomike vetëm për Shqipërinë dhe Malin e Zi nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Për dallim nga qershori ku ishte parashikuar rritje ekonomike e vitit 2023 të Shqipërisë për 2,8 për qind, vlerësimet e reja janë projektuar duke parashikuar rritje 0,8 më shumë nga parashikimet e fundit të muajit qershor, gjegjësisht 3,6 për qind në total.
Ndërkohë Mali i Zi është vendi i cili në lupën e Bankës Botërore ka marrë vlerësimet më të larta në rajon. Nga 3,3 për qind në muajin qershor, rishikimi i ri mbi pritshmëritë ekonomike është rritur në 4,8 për qind.
Ndërkaq, për Kosovën Banka Botërore ka parashikuar se rritja e prodhimit të brendshëm bruto (PBB) të Kosovës do të bjerë në 3,2 për qind në 2023, duke ulur projeksionin e qershorit me 0,5 pikë përqindje, i cili ishte 3,7 për qind.
Maqedonia e Veriut, sipas parashikimeve, ka rënien më të madhe ekonomike në rajon.
Nga 2,4 për qind në muajin qershor, në bazë të rishikimit të ri të parashikimeve të Bankës Botërore për vitin 2023, Maqedonia e Veriut ka shënuar rënie prej 0,6 për qind vetëm për 3 muaj, gjegjësisht rritja ekonomike vlerësohet në 1,8 për qind për dallim nga viti i kaluar.
Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina (BeH) në bazë të rishikimit të ri të parashikimeve të Bankës Botërore kanë regjistruar rënie prej 0,3 për qind nga parashikimi i fundit i muajit qershor.
Ndonëse kanë shënuar rënie të parashikimeve për 3 muaj, Serbia për momentin ka 2 për qind rritje ekonomike nga viti i kaluar, ndërsa BeH-ja 2,2 për qind.
Arsyetimet e parashikimit të Bankës Botërore
Banka parashikon se rritja në rajonin e Ballkanit Perëndimor do të ngadalësohet nga 3,2% në 2022 në 2,5% në 2023.
“Konsumi mbeti elastik në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi, i nxitur nga rimëkëmbja e fortë në turizëm, ndërsa aktiviteti u dobësua në Bosnje e Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, pasi kërkesa e jashtme u përkeqësua, për shkak të një ngadalësimi të mprehtë në BE”, tha Banka Botërore.
Një ngadalësim më i theksuar i euro-zonës, inflacioni i vazhdueshëm dhe rritja e tensioneve politike mund të pengojnë më tej rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor, sipas raportit.