Vera është periudha e fluksit për aeroportet e Ballkanit. Qoftë për mërgimtarët të cilët vizitojnë vendlindjen, por edhe për rezidentët të cilët bëjnë pushimet jashtë vendit. Një faktor që zakonisht anashkalohet gjatë planifikimit të buxhetit për udhëtim është çështja e parkimit në aeroport. Mund të mos luajë shumë rol qëndrim disa minuta ose orë, por për ata që lënë makinën në aeroport deri në kthim, mund të përballen me fatura marramendëse.
Aeroportet e rajonit dallojnë shumë nga njëri-tjetri sa i përket çmimit të parkimit. Ju sjellim një vështrim në çmimet, bazuar në faqet zyrtare të aeroporteve.
Qëndrimi afatshkurtër – Prishtina e Tirana më të shtrenjtat
Sipas çmimoreve zyrtare, rezulton se aeroporti “Adem Jashari” në Prishtinë është më i shtrenjti për parkim afatshkurtër, krahasuar me aeroportet e tjera në rajon. Në aeroportin e Prishtinës kushton 2 euro për parkim deri më orë.
I dyti më i shtrenjti është parkimi në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë, ku ora kushton 1,92 euro. Pas saj vijnë Beogradi (1,7€), Shkupi (1,6€), Sarajeva (1,53€), ndërsa më së liri kushton parkimi në Podgoricë, 1 euro për një orë.
Qëndrimi ditor – Prishtina më e lira, bindshëm më shtrenjtë në Podgoricë
Sa u përket tarifave ditore, parkimi në aeroportin e Prishtinës është më i liri në rajon. Nëse vendosni ta lini makinën në aeroport, do t'ju kushtojë 8 euro për një ditë. Për autobusë dhe automjete të tjera më të mëdha, parkimi kushton 10 euro në ditë.
Sarajeva dhe Beogradi me çmime thuajse identike (12,78€ dhe 12,79€ respektivisht) vijnë pas Prishtinës si aeroporte më të lira për parkim ditor.
Vijojnë Shkupi (13,6€) dhe Tirana (14,4€). Ndërsa, më i shtrenjti në rajon për qëndrim ditor është aeroporti i Podgoricës, ku paguhet 24 euro për çdo 24 orë parkimi.