Parku Kombëtar i Prespës shtrihet në tri shtete!     /Foto: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura/Facebook

Një nga parqet natyrore më të mëdha të Shqipërisë në juglindje të vendit është Parku Kombëtar i Prespës.

Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve të Shqipërisë, Milva Ekonomi, në rrjetet sociale së fundmi ndau pamje nga Liqeni i Prespës, që ofron natyrën e bukur me diversitet të faunës dhe florës.

“Me një florë dhe faunë të jashtëzakonshme ku numërohen mbi 1.500 lloje bimësh, 261 lloje zogjsh, 21 lloje peshqish e plot specie të tjera që popullojnë zonën”, shkroi Ekonomi.

Për një ofertë turistike të përmirësuar në Parkun Kombëtar të Prespës, është punuar për krijimin e shtigjeve me sinjalistikën e nevojshme. Gjithashtu, investimet në zonën rurale synon tha kthejnë atë një nga qendrat më interesante të agroturizmit shqiptar, për vetë potencialet dhe resurset turistike që ofron vija e liqenit të Prespës.

Në park janë shpallur disa monumente natyre me vlera shkencore, didaktike dhe turistike: Ishulli i Maligradit, Zgavra e Zaverit, Shpella e Trenit, Gurët Mumie në Tren, Dushqet e Manastirit, Venjat e Kallamasit (Juniperus excels) etj. Parku ka edhe pasuri kulturore, ku bëjnë pjesë edhe 11 kisha të mëdha e të vogla bizantine, tri prej të cilave janë të njohura si “kishat e eremitëve”, të gdhendura në gur. Më e vjetra prej tyre është e shek. XII, ndërsa më e reja e shek. XIV.

Turizmi dhe bujqësia konsiderohen si sektorët që do të rrisin të ardhurat për banorët dhe përmirësojë zhvillimin ekonomiko-social të Prespës.

Parku Kombëtar i Prespës ndodhet në kufi të Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe është vijim natyror i PK Prespa në Greqi dhe PK Galiçica në Maqedoni.

Përfshin liqenet Prespa e Madhe dhe Prespa e Vogël dhe territoret përreth tyre. Sipas marrëveshjes trepalëshe ndërmjet tri vendeve bregliqenore, njëherazi, është park ndërkufitar. Dallohen për larmi të theksuar, që shprehet tek të gjitha elementet e peizazheve gjeografike.

Në përbërje të parkut hyjnë dy liqenet dhe disa njësi të territoreve përreth tyre: Gropa e Prespës së Madhe dhe të Vogël, Mali i Thatë (shpati lindor) dhe malësia e Rakickës. Gropa e Prespës së Madhe, në lindje të Malit të Thatë, shtrihet pjesërisht brenda kufirit shtetëror të Shqipërisë.

TRT Balkan