Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka takuar homologun estonez dhe atë rumun në margjinat e Forumit të Paqes në Paris. Pas takimit me presidentin e Estonisë Alar Karis, Pendarovski publikoi se kanë diskutuar kryesisht për luftën në Ukrainë dhe pasojat ekonomike dhe të sigurisë në rajon.
“Estonia është partneri ynë shumëvjeçar në OKB, BE, NATO dhe OSBE dhe e vlerësojmë lart mbështetjen e fortë dhe të zëshme estoneze për integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Biseduam për krizën ekonomike dhe energjetike, si dhe për situatën gjeopolitike, në kontekst të luftës në Ukrainë, me theks tek implikimet e sigurisë ndaj vendeve baltike dhe ballkanike”, thuhet në publikimin e presidentit Pendarovski në Facebook.
Invazioni rus në Ukrainë dhe pasojat ndërkombëtare të tij janë diskutuar edhe në takimin e Pendarovskit me presidentin rumun, Klaus Iohannis.
“Biseduam për perspektivën evropiane dhe aktualitetet në procesin e eurointegrimit maqedonas, për ndodhitë në rajon në raport me invazionin rus ndaj Ukrainës, si dhe ndikimet ndaj fqinjësisë më të gjerë. Me Rumaninë kemi dialog politik konstruktiv dhe të hapur, ndërsa mes dy shteteve tona ka miqësi dhe respekt të ndërsjellë”, thuhet në njoftimin e presidentit Pendarovski.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, gjatë qëndrimit në Paris do të takojë edhe homologët nga Federata e Zvicrës dhe nga Hungaria, ndërsa merr pjesë edhe në darkën e punës të ftuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.