Nuk jam i shqetësuar se do të kemi unitet dhe solidaritet transatlantik dhe panevropian edhe këtë vit, por pyes veten nëse do të ruhet kur të përfundojë lufta në Ukrainë dhe kjo është çelësi që demokracia të mbizotërojë mbi autokracinë, tha presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në panelin e sotëm “Në mbrojtje të Evropës”, që zhvillohet në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.
“Ne duam që lufta të përfundojë sot, por logjika e shteteve dhe e interesave kombëtare, siç ka qenë me shekuj, është në radhë të parë të kujdeseni për oborrin tuaj. Nëse sërish u japim përparësi interesave kombëtare të shteteve, atëherë ky unitet dhe solidaritet do të zhduket, tha Pendarovski.
Prandaj, sipas tij, është e nevojshme dhe thelbësore të ruhet solidariteti transatlantik kur të përfundojë lufta në Ukrainë, sepse, siç shihet në mbarë botën dhe në disa nga vendet më të mëdha, tendencat autoritare janë në rritje.
“Nëse demokracitë nuk qëndrojnë së bashku dhe nuk mbeten së bashku, duke respektuar të njëjtat vlera dhe duke luftuar për to ndonjëherë fjalë për fjalë, atëherë autokracitë do të mbizotërojnë. E pamë vitin e kaluar kur filloi lufta në Ukrainë dhe më parë në Bjellorusi se dilema dhe beteja bazë është midis demokracisë apo autokracisë, pra diktaturës siç është sot në Rusi. Prandaj, duhet të kemi unitet dhe solidaritet të plotë edhe pas luftës në Ukrainë. Është e nevojshme të kemi një botë më të mirë, tha Pendarovski.
Krahas presidentit Pendarovski, në këtë panel diskutimi marrin pjesë edhe presidenti polak Andrzej Duda, ai i Lituanisë Gitanas Nausėda, si dhe përfaqësues të tjerë të huaj.
Në kuadër të forumit në Davos, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, do të marrë pjesë edhe në panelin “Dialogu diplomatik për Ballkanin Perëndimor”.