Pendarovski për vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe.     /Foto: AA

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në Abu Dhabi sot pati një takim me Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, president i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe sundimtar i Abu Dhabit.

Në takim u shkëmbyen mendime për mundësitë për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, për çështjet aktuale ndërkombëtare dhe rajonale, si dhe për prioritetet e jashtme dhe situatat politike në të dyja vendet, njofton Zyra e Pendarovskit.

Presidenti Pendarovski e uroi për emërimin e tij si president i ri i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe shprehu besimin se Emiratet e Bashkuara Arabe do të mbeten të përkushtuara për ruajtjen e paqes dhe sigurisë rajonale dhe globale, si angazhime tona të përbashkëta.

Presidenti theksoi interesimin e Maqedonisë së Veriut për promovimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtisë me Emiratet e Bashkuara Arabe. Me qëllim të nxitjes dhe promovimit të bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve të biznesit, presidenti theksoi nevojën e përmirësimit të kuadrit ligjor mes dy vendeve dhe inkurajoi nismat për lidhjen e marrëveshjeve dypalëshe dhe marrëveshjeve për bashkëpunim në disa fusha. Në takim u diskutua për vendosjen e linjës direkte të fluturimit Shkup-Abu Dhabi, si dhe u mirëpritën iniciativat për mbështetjen e projekteve të investimeve dhe infrastrukturës nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat janë me interes strategjik për Maqedoninë e Veriut dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, presidenti Pendarovski vizitoi ëahat Al Karama - Oazën e Dinjitetit, ku vendosi lule dhe nderoi dëshmorët dhe heronjtë e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Vizita e presidentit Pendarovski në Emiratet e Bashkuara Arabe është vizita e parë në nivel presidencial. Në këtë vizitë, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Ministrive të Punëve të Jashtme, u nënshkrua Memorandum për heqjen e vizave për poseduesit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

TRT Balkan / agjencitë