Përfitimet e njohjes së diplomave në Ballkan. / Photo: AA

Zyrtarët dhe liderët e lartë të BE-së nga Serbia, Kosova, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria u takuan në Samitin e Procesit të Berlinit më 3 nëntor dhe nënshkruan tri marrëveshje për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale.

Marrëveshjet më të rëndësishme që ndikojnë në të ardhmen e studentëve dhe të rinjve janë njohja reciproke e diplomave të arsimit të lartë dhe kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve.

TRT Balkan mbulon në detaje çështjen e njohjes së diplomave duke intervistuar me aktorët kryesorë: RCC, RYCO dhe universitetet.

Një hap i madh përpara

Ky zhvillim i rëndësishëm u bë i ditur nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) përpara Samitit të Berlinit. RCC-ja njoftoi se studentët nuk do të duhet të paguajnë deri në 500 € për t’u njohur diplomat e tyre në rajon. Për më tepër, mjekët, dentistët dhe arkitektët mund të punojnë pa pengesa në Ballkanin Perëndimor.

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu flet për TRT Balkan dhe thotë jo vetëm se ky është një hap i madh përpara në lëvizjen në gjashtë tregjet të vogla të punës, por është gjithashtu një sinjal i aftësisë së rajonit për të përmbushur angazhimin evropian ndërkohë që rajoni është ende në dhomën e pritjes së anëtarësimit.

“Njohja e ndërsjellë e diplomave universitare është një nga gjashtë marrëveshjet e lëvizshmërisë në total për të cilat Ballkani Perëndimor është angazhuar në nëntor 2020 në Sofje, në Samitin e Ballkanit Perëndimor, kur rajoni vendosi të ndërmarrë disa hapa konkretë drejt transformimit të prekshëm të rajonit. Dhe e gjithë kjo përmblidhet në Planin e Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM)”, thotë Bregu.

Kënaqësia në arsim

Një studim i përbashkët i Kombeve të Bashkuara dhe i Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO) i quajtur “E ardhmja e përbashkët: Perceptimet e të rinjve mbi paqen në Ballkanin Perëndimor” ndan pikëpamjet e më shumë se 5.400 të rinjve të moshës 15-29 vjeç nga Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Sipas këtij studimi, studentët në gjithë rajonin renditën shkollat dhe universitetet me një mesatare prej 3 nga 5. Pakënaqësia nga sistemi arsimor në rajon shkon nga 16% në 40%. Për shembull; 40 për qind e të anketuarve nuk ishin të kënaqur me sistemin arsimor në Maqedoninë e Veriut, Bosnjë e Hercegovinë (33%), Kosovë (30%), Mal të Zi (25%) dhe Shqipëri (23%), Serbi (16%).

Me këtë marrëveshje këto shifra mund të ndryshojnë në të ardhmen.

Majlinda Bregu thotë: “Edhe universitetet, edhe studentët do të përfitojnë nga rregullat dhe procedurat e përbashkëta për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë, lëvizshmërinë e studentëve dhe të stafit akademik.”

Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), Albert Hani për TRT Balkan thotë se diploma është një verifikim i dijes dhe bota moderne nuk mund të bëjë asgjë për të ndaluar lëvizshmërinë e dijes. Me këtë marrëveshje, sipas tij ne e pranojmë fuqinë e dijes. Tregut nuk i intereson kush jeni, por kujdeset për atë që mund të sillni me njohuritë tuaja, thekson Hani.

“Për të kontribuar në sistemin arsimor në rajon me ndihmën e këtyre marrëveshjeve, RYCO-ja tani po lidh shkollat në gjithë rajonin nëpërmjet programit ‘Super Shkollat’, mbështetur nga BE-ja. Studentët e këtij programi do të kenë përparësi për të qenë më konkurrues në tregun e punës”, njofton Hani.

Zero kosto

Aktualisht në rajon, njohja e këtyre dokumenteve mund t’u kushtojë studentëve prej 200 deri në 500 euro. Me këtë marrëveshje, kjo kosto do të jetë zero.

Në njëfarë mënyre, kjo nënkuptonte zhdukjen e fondeve rrotulluese në sektorin e arsimit dhe me gjasë do të hasej në rezistencë sektoriale. Megjithatë, ajo që pritej nuk ndodhi.

Majlinda Bregu duke folur rreth kësaj pike thekson se marrëveshja që parashikon heqjen e tarifave për njohjen (reciproke) të diplomave është një përmirësim i madh duke pasur parasysh tarifat e larta që ata paguanin. Megjithatë, kjo marrëveshje është shumë e favorshme për rajonin, sektorin dhe rininë.

“Zgjidhjet afatshkurtra, si përfitimet e mundshme financiare të marra për njohjen e shtrenjtë të diplomave, nuk mund të konkurrojnë as me përfitimet afatgjata në kapitalin njerëzor dhe në fund financiar, si dhe me pjesëmarrjen e tyre në punën/arsimimin ose ndonjë aktivitet tjetër në shoqërinë marrëse”, thotë Bregu.

Lëvizshmëri e fortë ndërrajonale

Lëvizshmëria ndërrajonale, një lëvizje brenda një rajoni të vetëm dhe jo drejt vendeve më të zhvilluara, është shumë e rëndësishme për zhvillimin e vendeve të Ballkanit.

Bregu thotë se qëllimi i tyre është që të ofrojnë më shumë dhe mundësi më të mira për studentët nga rajoni në rajon.

“Ne donim t’i mbanim studentët në rajon, në shtëpi, për të ndryshuar fenomenin ‘ikja e trurit’, për të krijuar një mjedis për të mbajtur njerëzit e kualifikuar. Në fund, është zgjedhja e tyre, por mundësitë në rajon me këtë marrëveshje do të jenë shumë më tërheqëse pasi ato kërkojnë shumë më pak pengesa administrative, kohë dhe shpenzime sesa dikur”, shton Bregu.

Qarkullimi i burimeve njerëzore rajonale kërkohet brenda rajonit pasi mund të përmirësojë integrimin social dhe ekonomik që mund të kontribuojë në shpërndarjen rajonale të mirëqenies në Ballkan.

Studentët siç shprehet Bregu mund të eksplorojnë mundësitë e ofruara në ekonomitë fqinje me kushte më të mira – qoftë vazhdimi i studimit, puna kërkimore ose edhe punësimi.

“Në rajonin tonë, të qenët një treg i ngushtë me kulturë, gjuhë shumë të ngjashme, si dhe sisteme arsimore, mund të jetë shumë më tërheqës për ta nëse bëhet më i qasshëm dhe premtues, gjë që do të ofrojnë këto marrëveshje”, thotë Bregu dhe nënvizon se duan që më në fund të përshpejtojmë rritjen ekonomike duke krijuar kushte më të mira për të jetuar, punuar, studiuar.

Ndërkohë, Hani vlerëson se kjo marrëveshje është një hap shumë i rëndësishëm drejt përgatitjes së gjeneratave të ardhshme për tregun konkurrues të punës në mbarë botën.

“Do të nxisë të rinjtë të kërkojnë mënyra për të qenë më konkurrues duke parë mundësitë fillimisht në rrethin e tyre. Do të nxisë universitetet të bashkëpunojnë dhe të mësojnë nga njëri-tjetri dhe të konkurrojnë shëndetshëm për të ofruar arsimin më të mirë”, thotë ai.

Universitetet i mirëpresin marrëveshjet

Shumë akademikë deklarojnë se krijimi i politikave të integrimit rajonal si njohja e diplomave në fushën e arsimit të lartë është një sukses për të gjashtë vendet e Ballkanit.

Prof. dr. Hristina Spasevska, Prorektorja për arsim në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, për TRT Balkan thotë “Realizimi i kësaj marrëveshjeje mundëson më shumë përfitime për qytetarët në qëndrimin ose ushtrimin e të drejtave në vende të tjera dhe lehtëson ushtrimin e të drejtave të shtetasve të vendeve të tjera në institucionet e Maqedonisë së Veriut.”

Nga ana tjetër, Luljeta Plakolli-Kasumi, ushtruese e detyrës së Rektorit të Universitetit të Prishtinës, thotë për TRT Balkan “Ne mirëpresim ringjalljen e Procesit të Berlinit dhe iniciativat që dalin nga ky proces, ku do të trajtohen vendet e Ballkanit Perëndimor si të barabarta.”

Mes të tjerash ajo shton se shpreson që avancimi i Procesit të Berlinit t’i japë fund një çështjeje të zgjatur dhe problematike siç është njohja e diplomave.

TRT Balkan