Përplasjet ndër vite mes Kosovës dhe Serbisë     Foto: TRT Balkan

Mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë përmbyllur, pavarësisht se lufta përfundoi në vitin 1999 me ndërhyrjes e NATO-s. Ndonëse ushtria dhe policia serbe për më shumë se dy dekada është larguar nga Kosova, shteti serb ende nuk pranon t’a njoh realitetin se Kosova është shtet i pavarur dhe i njohur nga më shumë se 100 shtete.

Institucionet e Serbisë, në pothuajse çdo paraqitje të tyre kur bëhet fjala për Kosovën, i referohen si pjesë të territorit të tyre. Deklaratat e tyre i mbështesin në Kushtetutën e Serbisë, e cila thotë se Kosova është pjesë përbërëse e territorit të Serbisë.

Shpallja e pavarësisë në vitin 2008 hapi një faqe të re të raporteve Kosovë – Serbi. Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me aktin e shpalljes së pavarësisë nga ana e Kosovës, në vitin 2010, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën e cila kërkonte fillimin e dialogut Kosovë-Serbi, nën ndërmjetësimin e BE-së.

Mosmarrëveshjet për “Marrëveshjen e Brukselit”

Marrëveshja e Brukselit e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013, edhe pse u cilësua si historike nga zyrtarë të lartë të BE-së, ajo fare pak është zbatuar në praktikë. Përplasjet e viteve të fundit mes këtyre dy shteteve në masë të madhe sillen rreth kësaj marrëveshje.

Serbia insisiton që Kosova t’a themeloj asociacionin/bashkësinë e komunave me shumicë serbe, ashtu siç qëndron në Marrëveshjen e Brukselit. Por, autoritet e Kosovës, thirren në vendimin e Gjykatës Kushtetues, e cila thotë se kjo marrëveshje është në kundërshtim me dispozitat e Kushtetutës së Kosovës. Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, kategorikisht është shprehur kundër themelimit të këtij asociacioni. Themelimi i një Republika Srpske të dytë në Ballkan, sikurse në Bosnje e Hercegovinë, sipas tij nuk duhet të ndodhë. Kurti pajtohet që në Kosovë, të themelohet Këshilli Nacional i Serbëve, ashtu siç shqiptarët dhe boshnjakët e kanë në Serbi.

Reciprociteti i papranuar për Serbinë

Nga viti 2011 e deri më sot Kosova ndaj Serbisë ka vendosur disa masa reciprociteti. Prej këtyre vendimeve bujë të madhe shkaktoi reciprocitetit që kishtë të bënë me produktet (mallrat) ushqimore. Eksporti i mallrave në Kosovë nga Serbia pa certifikatat fitosanitare ku shënohet emri i Kosvës ishte shkaku i vendosjes së kësaj mase të reciprocitetit, e njohur ndër popull si taksa “100 %”.

Tjetër masë e reciprocitet të cilën Kosova ia vendosi Serbisë, dhe e cila shkaktoi tensione në Veri të vendit vitin e kaluar, kishte të bënë me vendimin për targat. Serbia ndër vite nuk i njeh targat dhe dokumentet e Kosovës. Andaj, në shtator të vitit 2021 filloi zbatimi i kësaj mase të reciprocitetit për veturat që hynin nga Serbia në Kosovë. Me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare u arrit marrëveshje e përkohshme që simbolet shtetërore në targa të mbulohen me ngjitëse.

Në korrik të këtij viti Qeveria e Kosovës miratoi masa të reja të reciprocitet me Serbinë. Ata u paralajmëruan se do të hynë në fuqi më 1 gusht. Por, vendosja e barrikadave dhe përshkallëzimi i situatës në Veri të Kosovës, e prolongoi këtë vendim për 1 shtator.

NATO e interesuar për stabilitet

Sulmet ndaj policisë së Kosovës në fund të korrikut dhe gjatë këtij muaji në Veri të Mitrovicës ka ngjallur reagimin e KFOR-it. Përmes njoftimeve të tyre ata janë shprehur se situatën në Veri të Kosovës e vëzhgojnë së bashku me organizatat e sigurisë nga vendi dhe jashtë. Duke u mbështetur në mandatit e OKB-së, ata janë deklaruar se janë të gatshëm të ndërmarrin masat e nevojshme. Krahas vëzhgimit të situatës në Veri të Kosovës, ditë më parë nga KFOR-i, njoftuan se Ushtarët e KFOR-it nga Republika e Türkiye-s kryen një patrullë të pavarur në Kosovën lindore. Ushtarët e Forcave të Armatosura të Türkiye-s, patrullën e kryen në këmbë përgjatë zonës së tyre të operacionit në Kosovën lindore siç është mandatuar me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së të vitit 1999. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në konferencë për shtyp deklaroi se është detyrë e autoriteteve në Beograd dhe Prishtinë të parandalojnë eskalimin e situatës. Sipas tij, një dialog konstruktiv është mënyra e vetme për t’i zgjidhur dallimet në rajon. Mes tjerash, ai në konferencën për shtyp me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tha se të gjitha palët duhet të vepruar me përmbajtje dhe për t'i shmangen retorikës së padëshiruar. Çështjet e pazgjidhura, siç theksoi Stotenberg duhet të zgjidhen përmes dialogut. Këtë qëndrim ai paraprakisht, tha se ia kishte kumtuar edhe presidentit Vuçiq.

TRT Balkan