Nga majat e larta të Alpeve në veri, deri në bregdetin e mahnitshëm jugor të Detit Jon, Shqipëria është një destinacion që të mbush me admirim. Nëpër qytete historike, plazhe të zbehta dhe peizazhe të mrekullueshme natyrore, Shqipëria ofron një përvojë të paharrueshme për çdo vizitor.
Të dhënat e fundit të publikuara nga Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit e Shqipërisë, thonë se për gjashtëmujorin e parë të 2024 në Shqipëri kanë hyrë 4,5 milionë vizitorë të huaj, respektivisht 34 për qind më tepër krahasuar me vitin e kaluar. Në vazhdim TRT Balkan ju sjell disa nga lokacionet turistike më atraktive dhe më të vizituara të Shqipërisë, duke filluar nga veriu e deri në jug të saj.
Turizmi malor
Liqeni i Komanit, mund të theksohet si një nga përvojat më unike në Shqipëri. Udhëtimi me traget përmes liqenit të Komanit, të shpie për në “Tajlandën e Shqipërisë” - Lumin e Shalës. Udhëtimi mundëson pamjet e kanioneve të thella, male të larta, dhe ujërave të kristalta që ofrojnë një përvojë të paharrueshme për çdo udhëtar.
Alpet shqiptare
Ky grup malor përbëhet nga male të cilat shtrihen nga veriu i Shqipërisë, në perëndim të Kosovës, në jug-lindje të Malit të Zi dhe Lugina e Valbonës, e cila cilësohet si zemra e Alpeve Shqiptare. E njohur për peizazhet mahnitëse, majat e larta dhe labirintet, kjo zonë është e mbrojtur si Park Kombëtar dhe ofron mundësi për ecje, ngjitje dhe kamping.
Veriu i Shqipërisë
Shkodra është një nga qytetet që nuk duhet humbur si përvojë. E njohur si një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë, ajo ofron përzierje të pasur të kulturës, historisë dhe natyrës. Ndër atraksionet kryesore janë Kalaja e Rozafës dhe Liqeni i Shkodrës, liqeni më i madh në Ballkan, me mundësi të shumta për aktivitete ujore dhe relaksim.
Deti Adriatik
Kudo që të vendoseni në qytetet që përfshihen në Detin Adriatik, nuk do të gaboheni. Por, plazhi i Velipojës është një nga plazhet më të mëdha dhe më të gjera në bregdetin shqiptar, i rrethuar nga pyje të dendura, i cili ofron një ambient të qetë dhe natyror, ideal për ata që kërkojnë relaksim dhe një arratisje nga qyteti.
Jugu i Shqipërisë
Për të përjetuar magjinë e vërtetë të Shqipërisë dhe mrekullive të saj, për ata që janë adhurues të ujërave të kristaltë dhe pamjeve të gjera plot ngjyra, Jugu i Shqipërisë është vendi ideal. Por, Jugu para se gjithash përfshin qytete të ndryshme turistike, e si i tillë është edhe qyteti i Beratit.
Qyteti i mbrojtur nga UNESCO, i cili ofron ndër të tjerash plot shtëpi të epokës otomane, struktura mbresëlënëse të kishave dhe xhamive, që gjenden në krah të kodrave dhe maleve dhe që kanë në mes lumin Osum, dhe me Kalanë e Beratit, e cila është një nga atraksionet më piktoreske në zonë.
Deti Jon
Dhe kur jemi te Jugu i Shqipërisë, Deti Jon i cili përfshin qytetet si Saranda, fshatrat si Ksamili, Himara, Jala dhe të tjera, Dhërmiu, ndër vite kryeson sa i përket vizitueshmërisë së turistëve. Ky fshat bregdetar, i preferuar nga të rinjtë dhe aventurierët, karakterizohet nga arkitektura, shpellat e mëdha dhe ujërat e kristaltë, ndërkohë që Shpella e Piratëve cilësohet si një nga atraksionet më të veçanta në këtë zonë.
E njohur për klimën mesdhetare, që karakterizohet nga verë të nxehta dhe të thata, dhe dimra të butë dhe të lagësht, Shqipëria është e përshtatshme për t’u vizituar në të gjitha stinët.