Plazhet në Shqipëri qoftë në Detin Jon ose Detin Adriatik, dhe plazhet e ngjashme përgjatë bregdetit në Mal të Zi dhe Kroaci ofrojnë shezlonë me çmime të ndryshme. Çmimin e shezlonëve jo çdoherë e determinon plazhi ku pushoni, por edhe rendi ku e keni zgjedhur çadrën.
Në vazhdim TRT Balkan ju sjell analizën e çmimeve të shezlonëve nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Kroacia.
Dallimet mes plazheve në jug dhe veri të Shqipërisë
Dallimet mes çmimeve të shezlonëve në plazhet e jugut dhe veriut të Shqipërisë prej vitesh kanë ngjallur kureshtjen te pushuesit. Në kohë kur leku në krahasim me euron është forcuar edhe çmimet e shezloneve parashihen të jenë më të larta këtë verë.
Në plazhet e Shëngjinit dhe Velipojës marrja e një shezloni fillon nga 10 deri në 20 euro. Por, ekzistojnë edhe çmime të tjera më të lira, varësisht prej pozicionit ku gjenden çadrat.
Nga ana tjetër, në plazhet e Detit Jon në jug të Shqipërisë çmimet e shezlonëve lëvizin nga 20 deri në 40 euro. Gjithashtu, në jug mund të hasen edhe çmime të larta për shfrytëzimin e çadrave.
Lartësia e çmimeve të shezlonëve mund të lëvizë edhe nga periudha e verës. Në korrik dhe gusht kur fluksi i turistëve është më i lartë çmimet e shezlonëve pak kanë mundësi të zbresin. Po ashtu, në fundjavë dallojnë nga ato brenda ditëve të punës.
Çmime të kripura në Mal të Zi
Nëse vendosni të merrni shezlonë në njërën nga plazhet në bregdetin e Mali të Zi duhet të ndani minimum 15 euro në ditë. Çmimet dallojnë nga plazhet e Ulqinit e deri në veri të Mali të Zi. Në disa nga plazhet më të njohura të vendit marrja e shezlonit kushton 20 deri në 40 euro. Por, ka vende të tilla ku për një shezlon pushuesit duhet të paguajnë deri në 180 euro.
Parashikimet janë sezoni veror në Mal të Zi këtë vit do t’i kthejë ose tejkalojë statistikat e vitit para pandemisë me Covid-19.
Kroaci, sezoni i parë veror me euro
Zëvendësimi i kunës kroate me euron e Bashkimit Evropian nga 1 janari i këtij viti ka ngjallur diskutime në plazhet kroate. Vizitorë të ndryshëm kanë reaguar se çmimet nga kuna janë zëvendësuar me euro, por pa i përshtatur me kursin valutor. Në njërën nga plazhet e Hvarit marrja e një shezloni sipas turistëve kushton 40 euro. Në atë të Splitit 35 euro, në Dubrovnik 33 e kështu me radhë. Analizat e mediave kroate tregojnë se nga Dubrovniku deri në Istër çmimi mestar i shezlonëve lëviz nga 15 deri në 20 euro.