Maqedoni e Veriut-Bullgari, 4 shkurti pritet me shqetësime për sigurinë.    / Foto: AA

Figura e Goce Dellçevit gjithmonë ka shkaktuar pretendime si te populli maqedonas, ashtu edhe te bullgarët për ta llogaritur hero kombëtar.

Prandaj, ndërmjet etheve për tensione dhe paralajmërimeve për qetësi pritet të shënohet përvjetori i 151-të i lindjes së Goce Dellçevit, më 4 shkurt në Shkup.

Pjesëmarrjen në manifestimin për shënimin e përvjetorit të Goce Dellçevit më 4 shkurt e kanë paralajmëruar drejtues dhe aktivistë të disa shoqatave bullgare të njohur për retorikën nacionaliste.

Ndër personalitet politike më kritike ndaj Maqedonisë së Veriut është edhe eurodeputeti Angell Xhambaski. Emri i tij u diskutua edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të Maqedonisë së Veriut.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, duke pohuar se ka informacione se me 4 shkurt mund të ketë incidente, i ka propozuar Qeverisë ndalimin e hyrjes në vend të eurodeputetit bullgar, Angell Xhambaski, si dhe të disa personave të tjerë shtetas të Bullgarisë.

Presidenti, gjithashtu, tha se ka të dhëna se pas strukturave në Bullgari që bëjnë fushatë antimaqedonase qëndron shërbimi inteligjent rus.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski në mënyrë që të evitojë çdo rrezik të eskalimit të situatës njoftoi se kanë ndërmarrë aktivitete dhe masa të intensifikuara për rritjen e sigurisë rreth kishës “Shën Spas” ku edhe gjindet varri i Goce Dellçevit, si dhe vendosjen e një regjimi të posaçëm të qarkullimit në atë zonë.

Si u nxitën tensionet?

Tensionet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë janë acaruar në tre muajt e fundit pas hapjes së klubeve bullgare në Manastir dhe Ohër, të cilat janë kundërshtuar nga pala maqedonase, pasi mbajnë emrat e Car Borisit të Tretë dhe Vanço Mihajllovit - personalitete bullgare që kanë luftuar për bashkimin e territoreve të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.

Situata edhe më tej u tensionua jo më larg se javën që lamë pas, kur disa të rinj e kanë rrahur Sekretarin e klubit kulturor bullgar “Mbreti Boris III” në Ohër.

Ndaj këtij rasti i menjëhershëm ka qenë reagimi i Bullgarisë të cilët e dënuan dhunën dhe aktin e urrejtjes ndaj popullit bullgar, madje duke tërhequr ambasadorin e saj nga Maqedonia e Veriut derisa të shohin shenja ndryshimi.

Gjithashtu, Parlamenti bullgar pas incidentit në Ohër miratoi deklaratë me të cilën dënon ashpër dhunën ndaj bullgarëve në RMV.

Dokumenti u miratua vetëm një ditë pasi një delegacion i bullgarëve maqedonas u prit në Komisionin Evropian nga Komisari Evropian për Zgjerimin Oliver Varheyi.

Zhvillimi i mëtutjeshëm i marrëdhënieve Bullgari-Maqedoni e Veriut

Përderisa gjithçka shkonte mbarë, dhe pritej të siguroheshin numrat e nevojshëm të deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për t’i bërë ndryshimet Kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në të, si popull shtetformues, zhvillimet e reja kanë stopuar për një moment raportet e shteteve fqinje.

Manifestimi i përvjetorit të Goce Dellçevit do të jetë një test për marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë nëse do të shkojnë në drejtimin e duhur, apo do të kemi rikthim në pikën zero të marrëdhënieve ndërkombëtare.

TRT Balkan