Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Transportit dhe të Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, informoi se këtë vit nga Aeroporti Ndërkombëtar në Shkup do të shtohen 5 linja të reja ajrore.
Kryeministri Kovaçevski dhe ministri Boçvarski prezantuan detajet e përzgjedhjes së transportuesve ajrorë që aplikuan në thirrjen publike për mbështetje financiare për linjat e reja ajrore për periudhën 2023-2025.
Kovaçevski theksoi se me subvencionimin e linjave të reja ajrore mundësohet rritja e ekonomisë dhe e trafikut ajror.
"Qëllimi ynë strategjik është që të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet e ofruara nga Aeroporti Ndërkombëtar në Shkup dhe Aeroporti i Ohrit 'Shën Apostull-Pali', ndërsa qeveria angazhohet të ofrojë shërbime cilësore me një gamë më të gjerë destinacionesh për qytetarët. Të dhënat tregojnë se në vitin 2022 kemi transportuar më shumë se 2,3 milionë pasagjerë përmes dy aeroporteve tona ndërkombëtare", tha Kovaçevski.
Ai shtoi se kompanitë ajrore Lufthansa dhe Wizz Air aplikuan në thirrjen publike.
Ministri Boçvarski sqaroi se kompania ajrore Lufthansa nga 23 prilli, 10 herë në javë, nis linjën e re Shkup-Frankfurt.
"Dua të shpreh kënaqësinë e madhe që arritëm të hapim 5 destinacione të reja nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit. Në këtë moment kemi 48 destinacione, prej të cilave 41 nga aeroporti i Shkupit dhe 7 nga aeroporti i Ohrit", tha Boçvarski.
Ai po ashtu tha se kompania Wizz Air nga 1 nëntori prezanton këto destinacione: Shkup - Luksemburg, Shkup - Shtutgart, Shkup - Salzburg dhe Shkup - Lubjanë. Në këto 4 destinacione planifikohet të ketë 3 fluturime në javë.
Për këto linja ajrore, qeveria do të paguajë subvencione në 3 vitet e ardhshme në vlerë totale prej 5 milionë euro, respektivisht 7 euro për pasagjer që niset nga Shkupi.
Boçvarski theksoi se edhe pas përfundimit të periudhës së subvencionuar, kompanitë ajrore do të kenë obligim që të vazhdojnë operimin e linjës për destinacionin për të cilin do të marrin mbështetje financiare, për të njëjtën periudhë për të cilën kanë marrë subvencione.
Në të kundërtën, shtoi ai, kompanitë ajrore do të jenë të obliguara që të kthejnë gjithë shumën e mjeteve që kanë marrë si mbështetje financiare.