Ministria e Ekonomisë e Kosovës ka prezantuar thirrjen publike për mbështetjen e konsumatorëve familjarë dhe ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme për investimin në sisteme të energjisë diellore.
Nëpërmjet organizimit ku morën pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli dhe përfaqësues nga Bashkimi Evropian (BE) si dhe biznese e qytetarë, u tha se mbështetja do të jetë për sistemin fotovoltaik (FV) për prodhimin e energjisë elektrike për vetëkonsum dhe të sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar.
Kryeministri Kurti tha se me skemën që po prezantohet familjet do të mund të aplikojnë për mbështetje për sisteme diellore me kapacitet prej 3 deri në 7 kilovatë, ku do të subvencionohen me 250 euro për kilovatë, deri në 1.750 euro në total.
Sa u përket ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, Kurti tha se vlera e subvencionimit do të jetë 250 euro në kilovatë me kapacitet prej 3 deri në 9 kilovatë, maksimalisht deri në 2 mijë euro. Ndërsa, për kapacitet prej 10 kilovatë e më shumë, bizneset do të subvencionohen me 200 euro për kilovatë, deri në 600 euro në total.
"Për instalimin e sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar, që nga mesi i këtij muaji, bizneset do të mund të subvencionohen 40 për qind të vlerës deri në 4 mijë euro. Për të dyja këto masa, bizneset në pronësi apo bashkëpronësi të grave, mbi 51 për qind do të subvencionohen me 200 euro shtesë", tha Kurti.
Me këto ndihma, Kurti tha se jo vetëm ulet barra e sistemit, por fuqizohen edhe familjet dhe bizneset për të bërë zgjidhje të qëndrueshme dhe përballueshme.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se vendosja e sistemeve solare nga konsumatorët do jetë zgjidhje më e lehtë për përdorim të energjisë në biznese, me përfitime të shumta, si ulja e ndotjes, ulja e faturave të energjisë.
Rizvanolli tha se për këto shërbime kanë aplikuar 17 kompani vendore të cilat i ofrojnë shërbime të energjisë diellore të cilat do t’i mbështesë Qeveria.
Masat e prezantuara nga Qeveria e Kosovës përkrahen nga Bashkimi Evropian (BE).