Liderë rajonalë të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë të tjerë të lartë janë mbledhur sot në Shkup të Maqedonisë së Veriut, për të marrë pjesë në punimet e konferencës së Bashkimit Evropian për rritje ekonomike të rajonit.
Bëhet fjalë për konferencën “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE”.
Nikoqir i konferencës është kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti merr pjesë në konferencë, ashtu sikurse kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ai i Malit të Zi Millojko Spajiq dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Në takim ka edhe përfaqësues prej Bosnjës e Hercegovinës.
Përveç tyre, Shtetet e Bashkuara përfaqësohen prej Ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.
Në mesin e zyrtarëve të BE-së është drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi, Gert Jan Kopman, dhe zyrtarë të tjerë.
Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.
Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan, në periudhën 2024-2027, është 6 miliardë euro.
Pagesat është thënë se do të ekzekutohen vetëm pas përmbushjes së reformave të diskutuara.