Kroacia vitin e ardhshëm do të ketë forcat ajrore më të forta në këtë pjesë të Evropës falë realizimit të investimeve në avionin luftarak francez Rafale dhe nevojiten investime shtesë për marinën, tha të enjten kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
Vitin e ardhshëm pozicioni strategjik i Kroacisë në mbrojtje dhe siguri do të ndryshojë tërësisht, falë një investimi që pret prej dhjetëra vitesh dhe bëhet fjalë për avionë luftarakë shumëfunksionalë, tha kryeministri gjatë ceremonisë së hapjes të qendrës së re të kongresit në Akademisë Ushtarake Kroate “Franjo Tuxhman”.
Dorëzimi i avionëve të parë pritet në pranverën e vitit të ardhshëm.
“Një forcë ajrore kaq të fortë, moderne, bashkëkohore, të aftë, mes Gjermanisë dhe Greqisë, në këtë pjesë të Evropës, praktikisht askush nuk do ta ketë”, tha Plenkoviq.
Buxheti i mbrojtjes, rreth një miliard euro, nuk ka qenë kurrë më i madh dhe pas investimeve të reja në forcat ajrore, do të vijnë edhe ato në marinë, njoftoi ai.
“Forcimi i marinës është një segment në të cilin ne duhet të investojmë shtesë për të forcuar pozicionin tonë si një vend detar, mesdhetar”, tha kreu i qeverisë kroate.
Ushtria kroate ishte ndër të parat që u dërgoi helikopterë gjatë përmbytjeve të fundit në Slloveni. Përveç ndihmës për Slloveninë dhe Greqinë, Plenkoviq kujtoi edhe ndihmën për Ukrainën e prekur nga lufta, me një vlerë totale prej rreth 200 milionë eurosh.
“Qeveria mbajti një qëndrim parimor, pozicionin e një vendi që vetë ishte viktimë e agresionit, që luftoi për lirinë, pavarësinë dhe respektimin e parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare”, tha Plenkoviq.
Hapja e qendrës së re të kongresit në Akademinë Ushtarake Kroate ka kushtuar 7,5 milionë euro, të cilat janë siguruar nga Ministria e Mbrojtjes.