Policia e Kosovës bastis vilën e Radojçiqit: Hetim detal dhe deri në fund

Policia e Kosovës bastis vilën e Radojçiqit: Hetim detal dhe deri në fund

Mes lokacioneve të bastisura sot janë edhe pronat e Millan Radojçiqit dhe Vlladimir Radojeviqit.
Policia e Kosovës bastis vilën e Radojçiqit: Hetim detal dhe deri në fund.     /Foto: Xhelal Sveçla/Facebook

Policia e Kosovës në zbatim të urdhëresës së gjykatës, sot ka kryer bastistje në disa lokacione në veri, përfshirë banesën e Millan Radojçiq, vilën tij në Liqenin e Ujmanit, një aneks/ngrohtore të Spitalit të Mitrovicës si dhe shtëpinë e Vlladimir Radojeviq, i njohur me nofkën “Mami”.

Aksioni i forcave policore të Kosovës filloi në orët e para të mëngjesit. Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, me anë të një publikimi në Facebook, tha se “sulmi terrorist me të cilin është ballafaquar Policia e Kosovës në fshatin Banjska të Zveçanit do të hetohet detajisht dhe deri në fund”.

“Ne e kemi dëshmuar edhe me pamje dhe me prova të tjera që udhëheqësi i këtij grupi ishte Millan Radojçiq. Edhe nga pamjet që po shihen, dëshmohet se nuk bëhet fjalë për asnjë “luftëtar lirie”, por për një Pablo Escobar të rajonit. Nën maskën e mbrojtësit të qytetarëve, ai dhe bashkëpunëtorët e tij u bënë multimilionerë në kurriz të ligjit, të shtetit dhe të qytetarëve të tjerë”, publikoi ministri Sveçla.

Ai thotë se është e domosdoshme që vatra e krimit e të gjitha këtyre viteve në veri të vendit të hetohet së bashku me të gjithë asetet, aparaturën dhe lokacionet e grupit terrorist.

Më 24 shtator, Policia e Kosovës u sulmua në fshatin Banjskë të Zveçanit, me ç’rast humbi jetën rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën edhe dy policë të tjerë. Policia e Kosovës u kundërpërgjigj me aksion të madh, gjatë të cilit humbën jetën 4 persona nga grupi, ndërsa u arrestuan disa të tjerë. Pjesa më e madhe e grupit, e ngujuar fillimisht në Manastirin e Banjskës, arriti të arratisej drejt Serbisë.

Institucionet e Kosovës publikuan pamje nga droni që dëshmojnë sipas tyre se pjesë e grupit të armatosur ishte edhe nënkryetari i Listës Sërpska, Millan Radojçiq.


TRT Balkan