Policia e Kosovës është pajisur me armë të gjata, njoftoi Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.
“Nga sot të gjitha patrullat e Policisë së Kosovës do të pajisen me armë të gjata. Me blerjen e këtyre armëve për të gjitha patrullat policore anekënd Republikës së Kosovës rritet efikasiteti në luftimin e krimit, me çka mundësohet një ambient më i sigurt, rend publik më i qetë dhe më shumë siguri për zyrtarët tanë policorë”, shkruan Sveçla.
Nga fotografitë e publikuara, shihet një dërgesë e pushkëve automatike shumëfunksionale të prodhimit kroat, HS VHS-2. Kjo pushkë u prezantua për herë të parë në një ekspozitë në vitin 2007, ndërsa zhvillimi i saj filloi pas një kërkese të Ushtrisë Kroate për një pushkë të re këmbësorie për të përmbushur standardet e NATO-s.
Ministri i Brendshëm Sveçla falënderoi “shtetin mik kroat për bashkëpunimin e ngushtë dhe korrekt me institucionet e Republikës së Kosovës”.