Rumania dhe Bullgaria ka të ngjarë të bëhen anëtare të plota të zonës Schengen më 1 janar 2025, sipas raporteve nga media rumune të premten.
Të dyja vendet janë më pranë se kurrë për t’u bashkuar me zonën pa kufij deri në fund të vitit, pas diskutimeve joformale mes ministrave të brendshëm të Rumanisë, Bullgarisë, Hungarisë dhe Austrisë, raportoi media rumune Romania Insider.
Sipas këtij raporti, kryeministri hungarez Viktor Orban konfirmoi se të gjitha pengesat për anëtarësim janë hequr.
Zëdhënësi i qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs, gjithashtu konfirmoi se Rumania dhe Bullgaria kanë nënshkruar një marrëveshje me Austrinë, e cila kishte kundërshtuar anëtarësimin e tyre për shkak të shqetësimeve mbi migrimin e parregullt, për t’u bashkuar me zonën Schengen.
Duke komentuar zhvillimin, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha në platformën X: “Bullgaria dhe Rumania i përkasin plotësisht zonës Schengen. Heqja e kontrolleve të brendshme në kufijtë tokësorë është pengesa e fundit.”
“Akti formal i Këshillit të BE-së është hapi i radhës. Le të bëhet Schengen më i fortë në 2025,” shtoi ajo.
Kryeministri bullgar Dimitar Gllavçev gjithashtu tha se progresi i Bullgarisë dhe Rumanisë në adresimin e migrimit të paligjshëm u diskutua në takimin e ministrave të brendshëm, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve BTA.
Ai shtoi se vendimi përfundimtar do të merret më 12 dhjetor.
Aktualisht, Rumania dhe Bullgaria janë anëtare të zonës Schengen vetëm për aeroportet dhe portet detare, ndërsa kontrollet mbeten ende në kufijtë e tyre tokësorë.