Rendin dhe disiplninën në qytetet me popullsi më të mëdha kryesisht e menaxhon policia komunale. Veprimtaria e kësaj strukture të policisë në masë të madhe përqendrohet në ruajtjen e mjedisit jetësor. Pamundësia për të kontrolluar gjithçka me shërbimet komunale i ka detyruar disa kryeqendra në Ballkanin Perëndimor që prej vitesh të themelojnë sektorët e policisë komunale. Ndërkohë në disa kryeqytete të tjera iniciativat e tilla kanë mbetur vetëm në letër.
Tirana me Polici Bashkiake
Më 15 maj 1997 në Tiranë u themelua Policia e Bashkisë, e cila është organ ekzekutiv i përfshirë në strukturën e aparatit të Bashkisë së Tiranës dhe në varësi të kryetarit të saj. Kompetencat e policëve bashkiakë në Tiranë mes tjerash janë konstatimi dhe shmangia e ndërtimeve pa leje, zënia e trojeve në mënyrë të paligjshme, të ndërtesave e subjekteve publike të bashkisë. Tutje, në bazë të dispozitave ligjore Policia e Bashkisë merr masa për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike duke shmangur zëniet, zhurmat, përdorimin e altoparlantëve, borive, si edhe veprime të tjera që u shkaktojnë shqetësime qytetarëve. Policia e Bashkisë në Tiranë ka uniformën e vet dhe stemën.
Milicia Komunale e Beogradit
Shtatëmbëdhjetë komuna të Beogradit mbikëqyren nga Milicia Komunale të cilën e ka themeluar Këshillit i Qytetit të Beogradit. Si pjesë e administratë së qytetit në Beograd, Milicia Komunale ekziston prej vitit 2010.
Nëpunësit e Milicisë Komunale në Beograd, në mesin e shumë kompetencave, kontrollojnë edhe parkimin e automjeteve në hapësira publike, në hapësira të gjelbra publike. Kontrolli i orarit të punës së objekteve hotelierike dhe lartësia e zhurmës në mjediset urbane po ashtu përfshihet në kompetencat e tyre.
Në rast të konstatimit të shkeljeve, për dallim nga inspektorët komunale, ata kanë të drejtë të legjitimimit dhe shqiptimit të gjobave.
Policia Komunale e Podgoricës
Edhe pse Podgorocia është një prej kryeqyteteve me numër më të vogël të popullsisë në rajon, megjithatë në administratën e qytetit funksionon Policia Komunale. Nëpunësit e Policisë Komunale në kryeqytetin e Malit të Zi veprojnë në kuadër të shërbimeve profesionale komunale. Detyrat e Policisë Komunale në Podgoricë përfshijnë mbikëqyrjen komunale dhe sigurimin e rendit komunal në përputhje me ligjin që rregullon fushën e veprimtarive komunale dhe fushat e tjera në të cilat komuna kryen detyrat e veta brenda juridiksionit të administratës shtetërore.
Nismë në Sarajevë
Qeveria e Kantonit të Sarajevës, në gusht të këtij viti e përcaktoi Propozimin për Ligjin për Policinë Komunale të qytetit dhe e dërgoi në procedurë parlamentare.
Me miratimin e këtij ligji, parashihet të krijohet policia e parë komunale në Federatën e Bosnjë e Hercegovinës, e cila do t'u shërbejë qytetarëve, me qëllim të ngritjes së nivelit të higjienës komunale.
Por, deri më sot Parlamenti ende nuk e ka miratuar ligjin në fjalë.
Vetëm debat në Shkup dhe në Prishtinë
Prej vitesh në Shkup dhe në Prishtinë zhvillohet debati për themelimin e Policisë Komunale, si një mekanizëm efikas në përpjekjet për vendosjen e rendit dhe të disiplinës në këto kryeqendra të Ballkanit. Megjithatë, deri më sot asgjë konkrete nuk është ndërmarrë në këtë drejtim.
Aktualisht administratat e qyteteve në fjalë veprojnë me inspektorët komunalë, të cilët jo çdoherë arrijnë t’u përgjigjen thirrjeve dhe ankesave të qytetarëve.