Presidentja e KE-së: Shqipëria po bën hapa të mëdhenj drejt BE-së         / Foto: AA

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen ka zhvilluar vizitë zyrtare në Shqipëri, në kuadër të turneut të saj të vizitave në disa vende të Ballkanit.

Pas ceremonisë zyrtare të pritjes, Von der Leyen dhe kryeministri Edi Rama mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, duke u fokusuar në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe mbështetjen e BE-së gjatë këtij rrugëtimi.

Presidentja e KE-së deklaroi se Shqipëria është në rrugën e duhur për t'u bërë shtet anëtar i Bashkimit Evropian.

Duke folur për hapjen e negociatave për grupkapitujt e parë mes BE-së dhe Shqipërisë, ajo theksoi se kjo është sukses që vjen si rrjedhojë e shumë viteve me shumë punë, por sipas saj dhe përkushtim "për këtë objektiv të përbashkët".

Në deklaratën për media ajo u shpreh se Shqipëria ka ecur shpejt në procesin e integrimit dhe se në rast se gjërat ecin siç duhet, mund të hapen të gjithë grupkapitujt deri në fund të 2025-ës.

“Procesi varet nga meritat e çdo vendi. Është shumë e rëndësishme kjo edhe për shtetet anëtare. Këtu me Shqipërinë kemi një një shembull të shkëlqyer. Gjërat kanë ecur shpejt dhe në rast se gjërat ecin siç duhet, ne ndoshta do të hapim të gjithë grupkapitujt deri në fund të vitit të ardhshëm’, ’tha Presidentja e KE-së.

Duke u ndalur te Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, presidentja e Komisionit Europian tha se Shqipëria do të marrë mbi 920 milionë euro nga Plani i Rritjes. Ajo tha se fillimisht duhet të kryhet parafinancimi prej 64 milionë euroah deri në fund të vitit 2024.

Sipas saj, Shqipëria është në rrugën e duhur për t’u bërë pjesë e zonës unike të pagesave të euros.

Von der Leyen foli edhe për planet e BE-së për investimet me fokus energjinë e rinovueshme duke e cilësuar Shqipërinë si “lider në këtë fushë”.

“Nisma e dytë është plani ynë i investimeve për Ballkanin Perëndimor. Punën për këtë plan investimesh e kemi filluar katër vite më parë. Në Shqipëri me anën e këtij plani janë mobilizuar investime prej 1,4 miliardë eurosh, me fokus të fortë tek tranzicioni drejt energjisë së pastër.

Për Shqipërinë kjo nuk do të jetë sfidë e madhe, pasi ju jeni lider në këtë fushë. Ne kemi hidrocentralin e Vaut të Dejës mbi lumin Drin, me energji diellore, i pari i këtij lloji në rajon”, u shpreh presidentja e KE-së.

Gjithashtu, ajo bëri të ditur se BE-ja po investon edhe për transportin e pastër për të arritur lidhje me të mira brenda për brenda vetë rajonit dhe Europës, përfshirë këtu linjën hekurudhore të Shqipërisë me BE-në.

“Po ashtu, edhe planet për sistemin e parë të autobusëve elektrikë për Tiranën”, u shpreh Von der Leyen.

Ndërkaq, e pyetur për marrëveshjen Shqipëri-Itali për çështjen e emigracionit, ajo tha se "që prej fillimit ne kemi qenë tejet të qartë, që po monitorojmë zhvillimet në lidhje me këtë marrëveshje, por kjo është një marrëveshje dypalëshe. Pra, ne nuk bëjmë komente për të, por monitorojmë zhvillimet e kësaj marrëveshjeje".

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në fjalën e tij tha ka një gjë për të cilën shqiptarët nuk kanë asnjë debat, sipas tij, që vendi i Shqipërisë është në Bashkimin Evropian dhe që e ardhmja e fëmijëve duhet të ndërtohet në BE.

Duke iu referuar hapjes së negociatave për grupkapitujt e parë mes BE-së dhe Shqipërisë, Rama u shpreh se Shqipëria ka hyrë një fazë të re, duke shtuar se skuadra e Shqipërisë për negociatat ka treguar në Bruksel që është në lartësinë e duhur për t'u përballur me këtë sfidë të re.

Në lidhje me procesin e negociatave Rama tha se "Ne e dimë që është një sfidë që nuk shkon duke u bërë më e lehtë, shkon duke u bërë më e vështirë, sepse tanimë bëhet fjalë për një sërë detyrash".

“Nëse ka një mision të përbashkët kombëtar të gjithë shoqërisë, partive politike, forcave aktive në Shqipëri është të kontribuojnë që kjo gjë të ndodhë sa më shpejt. Mirë se erdhët në vendin më pro BE-së në Europë, edhe brenda edhe jashtë BE-së!”, theksoi Edi Rama.

Më tej, Von der Leyen u ndal edhe tek hapja e Kampusit të Kolegjit të Europës në Tiranë, për të cilin u shpreh se e ardhmja e BE-së po formësohet në vendin tonë.

Ky është kampusi i parë që hap dyert jashtë një vendi të Bashkimit Evropian.

Kampusi i Kolegjit të Evropës në Tiranë do të ofrojë një program akademik me standarde evropiane për studentët dhe profesionistët nga Shqipëria, rajoni i Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian dhe më gjerë, dhe do të hapë ciklin e studimeve duke filluar nga ky vit akademik.

Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian që nga viti 2014. Më 15 tetor të këtij viti u mbajt Konferenca e Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian (BE), duke shënuar hapjen zyrtare të negociatave për grupkapitujt e parë, për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

TRT Balkan / agjencitë