Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka filluar vizitën zyrtare dyditore në Shqipëri, ndërkohë është pritur me ceremoni shtetërore nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Pas takimit presidenti Begaj deklaroi se Shqipëria mbështet fuqishëm aspiratat e Kosovës për integrim euroatlantik.
Në fjalimin e tij gjatë konferencës së përbashkët me homologen e tij, presidenti Begaj theksoi se askush nuk ka pse çuditet përse Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë.
“Kjo ka qenë dhe mbetet devizë e çdo shtetari në Shqipëri, ndaj rikonfirmova edhe një herë mbështetjen time e të shtetit shqiptar për Kosovën kudo, në çdo forum rajonal e ndërkombëtar”, u shpreh Begaj.
Gjatë takimit me presidenten Osmani vëmendja kryesore u përqendrua në forcimin e thellimit të mëtejshëm të partneritetit strategjik në të gjitha aspektet.
“Nënvizova se marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë duhet të jenë gjithmonë të mira dhe duhet të udhëhiqemi nga interesi kombëtar për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha nivelet, politik, ekonomik, social dhe kulturor si dhe për të avancuar në progreset integruese euroatlantike”, nënvizoi Begaj.
Një vëmendje të shtuar gjatë takimit sipas presidentit Begaj iu kushtua zhvillimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.
Osmani: Presim që Shqipëria të jetë zëri ynë në vendet dhe forumet ku ende nuk jemi pjesë
Nga ana tjetër, sipas njoftimit nga Presidenca e Kosovës, në takim me Presidentin Begaj, Presidentja Osmani ka falënderuar Shqipërinë për mbështetjen ndaj Kosovës në të gjitha etapat e përpjekjeve për liri, pavarësi dhe shtetndërtim.
Presidentja Osmani ka shtuar nevojën e rritjes së koordinimit të vazhdueshëm dhe paraprak në politikën e jashtme në raport me interesat e të dyja shteteve, por edhe të rajonit e me gjerë.
“Kosova dhe Shqipëria kanë një lidhje unike historike, kulturore dhe kombëtare, lidhje kjo e fortë dhe e pathyeshme. Përballë sfidave, ne duhet të qëndrojmë të bashkuar, duke u fokusuar në qëllimin tonë madhor: integrimin e shteteve tona në familjen euroatlantike”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Sipas Presidentes Osmani, Kosova është e përkushtuar ta fuqizojë pozicionin e saj ndërkombëtar, duke shtyrë më tej synimin për njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Prandaj, në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka shtruar nevojën e vazhdimit të mbështetjes nga ana e Shqipërisë.
“Kjo sfidë kërkon përkushtim dhe veprime të sinkronizuara për njohje të reja dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare. Si në të kaluarën, presim që Shqipëria të jetë zëri ynë në vendet dhe forumet ku ende nuk jemi pjesë”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Më tej, Presidentja përmendi anëtarësimin në Këshillin e Evropës, NATO, BE, por edhe organizata të tjera ndërkombëtare.
“Anëtarësimi i Kosovës në NATO si synim afatgjatë dhe përfshirja sa më parë në Programin e Partneritetit për Paqe te NATO-s janë garanci për paqe dhe siguri në rajon dhe kontinentin tonë. Fakti që Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s krijon siguri më të madhe në gjithë rajonin tonë e në veçanti në Kosovë”, theksoi Presidentja Osmani.
Në raport me zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend, Presidentja Osmani theksoi se Kosova, përkundër sfidimit të hapur në rrafshin e sigurisë dhe institucional nga Serbia, ajo vazhdon të jetë e përkushtuar ndaj procesit të dialogut, si dy shtete të pavarura dhe fqinje.