Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, në përputhje me Kushtetutën, e cila parasheh dhënien e mandatit brenda 10 ditëve nga konstituimi i Kuvendit, ia besoi mandatin për përbërjen e qeverisë kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Në një prononcim të shkurtër për media, presidentja Siljanovska-Davkova shprehu besimin se mandatimi i Mickoskit është hapi i vërtetë juridik dhe politik.
"Jemi dëshmitarë që sot po përmbushet dita e 10-të. Po ashtu, gjatë konstituimit të Kuvendit, më lejoni t'ju kujtoj, Kryetari i Kuvendit u zgjodh me 76 vota 'për'. Ky rezultat dhe negociatat e vazhdueshme më japin të drejtën të besoj se lideri i VMRO-DPMNE-së, z. Hristijan Mickoski, ka mundësi serioze për të formuar qeveri", tha presidentja Siljanovska-Davkova.
Hristijan Mickoski, lideri i partisë që udhëhoqi koalicionin "Maqedonia juaj", e cila fitoi 58 nga gjithsej 120 mandate parlamentare, falënderoi presidenten Siljanovska-Davkova për dhënien e mandatit, duke paralajmëruar formimin e shpejtë të qeverisë.
"Dua të paralajmëroj se së shpejti do të formohet qeveria e re, një qeveri reformuese. Qeveri që do të ketë qëllim dhe detyrë bazë të merret me reformat, t'i çojë proceset përpara", theksoi Mickoski.
Ai falënderoi edhe qytetarët, duke u shprehur se ata janë më meritorët që do të ketë ndryshim pushteti në vend.
Sipas Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, mandatari në afat prej 20 ditësh nga dita e pranimit të mandatit duhet të paraqesë program në Kuvend dhe të propozojë përbërjen e Qeverisë.
Kuvendi, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedh qeverinë me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve, pra me 61 vota.
Kujtojmë se në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 8 maj, opozita e mëparshme e udhëhequr nga VMRO-DPMNE fitoi 58 mandate parlamentare. Kjo parti deklaroi se janë finalizuar negociatat për ndarjen e pushtetit me partnerët e tjerë të koalicionit, Koalicionin VLEN, i cili ka 14 mandate parlamentare dhe Lëvizja ZNAM, me 6 mandate parlamentare.