Presidentja Osmani priti në takim ministren e Katarit, Al-Misnad / Photo: AA

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministren për Zhvillim Social dhe Familje të Katarit, Maryam bint Ali bin Nasser Al-Misnad.

Siç njofton Zyra e Presidentes së Kosovës, presidentja Osmani e ka falënderuar ministren Al-Misnad, si dhe lidershipin e Katarit në krye me Emirin Tamim bin Hamad bin Khalifa Al Thani, pasi siç ka thënë ajo, "Katari ka qenë një mbështetës i vazhdueshëm i Kosovës".

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vlerëson thellësisht mbështetjen e vazhdueshme të Katarit, veçanërisht në ndihmën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, por edhe për ofrimin e ndihmave humanitare gjatë dhe pas luftës.

Më tej, Presidentja Osmani ka nënvizuar rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të raporteve me Katarin dhe në këtë kontekst ka përmendur fushën e mirëqenies sociale, mbështetjen për invalidët e luftës, sektorin e shëndetësisë, turizmin si dhe projekte të tjera investuese.

Në takim, ndër të tjerash, u diskutua edhe për zhvillimin dhe përmirësimin e shërbimeve mbështetëse të familjes, duke përfshirë programet e fokusuara në mirëqenien e fëmijëve dhe grave.

Të dyja bashkëbisedueset shtruan nevojën për thellimin e bashkëpunimit dhe eksplorimit të nismave të përbashkëta nga të cilat do të përfitojnë të dyja shtetet.

AA