Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sonte është takuar me përfaqësuesit politik të serbëve nga Kosova duke i porositur ata që të ruajnë paqen dhe stabilitetin.
“Janë serbët tanë nga Kosova. Ne vetëm u kërkuam atyre që të jenë të kujdesshëm dhe të qetë, të ruajnë paqen, të ruajnë stabilitetin dhe t'i përgjigjen arrogancës së njerëzve të tjerë ashtu siç përgjigjen gjithmonë njerëzit e denjë. Ne duam të mbajmë vetëm tonat dhe asgjë më shumë. Kështu që jam i sigurt se do të tregojmë pjekuri si komb dhe se do t'i ruajmë vatrat tona - tha Vuçiq në një video të postuar në Instagramin e buducnostsrbijeav.
Ky takim i Vuçiqit me përfaqësuesit serbë në mëngjesin e sotëm erdhi pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shtyu zbatimin e fazës së dytë të vendimit për targat ilegale serbe për 48 orë.
Faza e dytë ka paraparë shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me targa të tilla.
Kërkesën për shtyrje 48-orëshe e kanë bërë Shtetet e Bashkuara.
Para shtyrjes së vendimit, Policia e Kosovës pati planifikuar që vendimin për gjobat ta zbatonte nga mëngjesi i 22 nëntorit.
Faza e parë ka paraparë qortimin, e dyta parasheh gjobën dhe më vonë parashihet të vendosen disa targa provuese.
Sipas vendimit të Qeverisë, pas 21 prillit, në Kosovë nuk duhet të ketë më makina me targa të tilla që lëshojnë autoritetet serbe.
Serbia - e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan - duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës - ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme - kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.
Ata, po ashtu, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave nga autoritetet e Kosovës.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Takimi i djeshëm mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel rezultoi pa marrëveshje për çështjen e targave.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.