Prishtinë, hapet panairi ndërkombëtar i 22-të i EXPOKOS-it.     /Foto: AA

Në sallën e sporteve "1 tetori" në Prishtinë është hapur panairi ndërkombëtar i 22-të me radhë i EXPOKOS-it.

Në këtë panair, i cili njihet edhe si panairi i ndërtimit, teknologjisë, energjisë dhe mobileve pjesëmarrës janë ekspozues nga vende të ndryshme, por edhe ata vendorë.

Gjithashtu, pjesë e këtij panairi janë edhe specialistët e përgjithshëm në fushën e ndërtimit, energjisë, teknologjisë, mobileve dhe pasurive të patundshme, punëdhënies, shpërndarjes, menaxherë kompanish publike dhe private, drejtues institucionesh, studentë dhe shumë të tjerë.

Njëri nga organizatorët e këtij panairi, Bekim Xhafa, tha se në këtë panair është vënë re se është shtuar numri i prodhuesve vendorë, por pjesëmarrja e vendeve të huaja po vazhdon.

"Këtë vit ndihemi mirë sepse numri i prodhuesve është në rritje dhe kemi shumë prodhues nga vendi të cilët janë në panair për të shtrirë dhe për të hapur dyer edhe jashtë kufijve të Kosovës dhe me disa prej tyre kemi filluar që t’i bëjmë edhe marrëveshjet dhe partnerët adekuatë për ta. Unë falënderoj në veçanti edhe ato biznese jashtë kufirit të Kosovës që kanë ardhur këtu, që janë nga Shqipëria, Greqia tradicionalisht, bizneset nga Gjermania, bizneset e Türkiyes", theksoi Xhafa.

Ministrja e Industrisë, e Ndërmarrësisë dhe e Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se bizneset nga vendet e ndryshme sjellin në këtë panair teknologjinë dhe njohurinë e cila i ndihmon vendit integrim më të shpejtë në Bashkim Evropian.

"Kosova ka shumë potenciale, sidomos për investime falë fuqisë punëtore të njeriut, pra resurseve tona njerëzore, por edhe falë resurseve natyrore. Por, megjithatë resursi njeri është resursi kryesor për zhvillim ekonomik dhe jam e lumtur të ndaj me ju shumë suksese nga biznese të Kosovës që po rrisin investimet, por rrisin eksportet, por edhe investimet nga vendet evropiane dhe më larg që po vinë në Kosovë për shkak të mundësive që ofron Kosova", theksoi Hajdari.

Hajdari tutje tha se ministria të cilën ajo udhëheq ka shtyrë 16 ligje vitin e kaluar për të bërit biznes, me 35 akte nënligjore që përmirësojnë ambientin e të bërit biznes në Kosovë.

Si vlerë e shtuar e panairit kësaj radhe, janë prezantimet e ndryshme që do të mbahen në kuadër të aktiviteteve paralele nga institucione dhe shoqata që vazhdimisht kontribuojnë në ekonominë e vendit.

Odat Ekonomike të vendeve të ndryshme gjithashtu do të zhvillojnë aktivitete në kuadër të panairit.


AA