Më 27 shkurt në ndërtesën e re të Akademisë të Shkencave dhe të Arteve në Podgoricë do të mbahet seanca e përbashkët e qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Malit të Zi.
Në këtë mbledhje do të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh ndërshtetërore, të cilat janë me rëndësi për avancimin e bashkëpunimit dypalësh.
Takimi i fundit mes dy kryeministrave në Samitin e Ballkanit të Hapur në Ohër vitin e kaluar, ndër të tjerash, ka shërbyer për t’u diskutuar lidhur me projektin e ndërtimit të përbashkët të urës mbi Bunë.
Kjo ide e tyre sipas paralajmërimeve pritet të jetë kryetema e diskutimit gjatë ditës së nesërme, me ç’rast pas nënshkrimit të dokumenteve të përbashkëta planifikohet të mbahet konferenca për shtyp e kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe homologut nga Shqipëria, Edi Rama.
Synimi i tyre do të jetë rikthimi i lumit Buna në një atraksion turistik dhe hapësirë lundruese për jahtet dhe anijet.
Distanca aktuale ndërmjet Ulqinit dhe Velipojës është rreth 73 km dhe se me ndërtimin e urës do të reduktohej në rreth një kilometër.
Si kaloi mbledhja e parë e qeverive?
Kjo është mbledhja e dytë e përbashkët mes dy qeverive.
Më 3 korrik 2018 u zhvillua në Shkodër takimi i parë ndërqeveritar Shqipëri-Mali i Zi. Delegacionet kryesoheshin nga kryeministrat Edi Rama dhe Dushko Markoviq dhe përbëheshin nga 11 ministra. Në mbyllje u mbajt një konferencë e përbashkët për shtyp.
Si ngjarje anësore e aktivitetit u zhvillua Forumi i Biznesit, i organizuar nga Dhomat e Tregtisë dhe të Industrisë, si dhe Agjencitë e Investimeve.
Gjatë G2G u nënshkrua një Deklaratë e Përbashkët dhe shtatë marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi.
1. Marrëveshje kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi mbi marrëdhëniet e ndërsjella në fushën e menaxhimit të burimeve ujore ndërkufitare.
2. Marrëveshje mbi bashkëpunimin dhe ndihmën e ndërsjellët në emergjenca nëpërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi.
3. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi në lidhje me operacionet ndërkufitare të patrullimit ajror.
4. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi për hapjen e pikës së përbashkët kufitare në Zogaj-Skje për qarkullimin ndërkombëtar rrugor dhe të pasagjerëve në Liqenin e Shkodrës.
5. Programi i bashkëpunimit në fushën e kulturës ndërmjet Ministrisë së Kulturës ë Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës së Malit të Zi për periudhën 2018-2020.
6. Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunim reciprok ndërmjet Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dhe Agjencisë Malazeze të Promovimit të Investimeve.
7.. Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë dhe Dhomës së Ekonomisë së Malit të Zi.
Takime të përbashkëta të qeverisë së Shqipërisë me qeveritë e vendeve të rajonit janë të shpeshta.
Deri më tani Qeveria e Shqipërisë ka mbajtuar tetë takime të Qeverinë e Kosovës dhe dy me Maqedoninë e Veriut në Pogradec dhe në Shkup.