Progres i universiteteve të rajonit në listën e SCIMAGO-s.      / Foto: ATA

Në renditjen totale prej 4.364 universitetesh për vitin 2022, sipas SCIMAGO-s, servisi për renditjen e institucioneve të arsimit të lartë dhe kërkimit në botë, vetëm 14 universitete janë nga vendet e Ballkanit.

Mirëpo, ajo që vlen të potencohet është fakti se çdonjëri nga këto universitete kanë siguruar progres në renditje nga viti në vit.

Katër shtete me përfaqësim sipërfaqësor

Vlerësuar rezultatet shkencore të universiteteve nga vendet e rajonit, sipas renditjes së SCIMAGO-s, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi përfaqësohen me nga një universitet.

Në këtë listë, Shqipëria përfaqësohet nga Universiteti i Tiranës i cili ka shënuar avancim prej 74 vendeve, ku është radhitur i 751-ti për dallim nga viti 2021 ku ishte i 825-ti.

Kosova përfaqësohet me Universitetin e Prishtinës, që për dallim nga viti i kaluar ku ndodhej në pozitën e 775-të, tani gjindet në pozitën e 707-të.

Sa i përket Maqedonisë së Veriut, e cila përfaqësohet nga Universiteti Shën Qirili dhe Metodi mund të shihet përmirësim prej 86 vendeve nga viti në vit. Pra, për momentin ndodhet në vendin e 657-të, për dallim nga një vit më parë që ishte në vendin e 743-të.

Mali i Zi po ashtu ka zënë një vend në listën e SCIMAGO-s nëpërmjet Universitetit shtetëror të Malit të Zi. Nga ajo që mund të vërehet në krahasim me universitetet e Shqipërisë dhe Kosovës, universiteti i malazezëve ndodhet diçka më mirë, pasi që radhitet në pozitën e 686-të, që para 1 viti ishte i 753-ti.

Serbia dhe BeH më së shumti universitete

Për dallim nga vendet e tjera të rajonit që përfshihehin në listën e SCIMAGO-s me nga një universitet të vetëm, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina kanë gjashtë, gjegjësisht pesë universitete në këtë listë.

Më së miri qëndron Universiteti i Beogradit i cili ndodhet në pozitën e 429-të, e që para 1 viti ishte në pozitën e 472-të.

Universitetet e tjera të Serbisë janë: Universiteti i Novi Sadit, Universiteti i Kragujevacit, Universiteti i Nishit, Universiteti i Singidunum dhe Universiteti i Mbrojtjes.

Nga ana tjetër, Bosnjë e Hercegovina përfaqësohet me Universitetin e Sarajevës Lindore që ka përmirësuar dukshëm pozitën e saj nga vendi i 800-të, në pozitën e 681-të brenda 1 viti.

Përveç Universitetit të Sarajevës Lindore, Bosnjë e Hercegovina në listën e SCIMAGO-s ka edhe katër universitete të tjera si: Universiteti i Sarajevës, Universiteti i Banja Lukës, Universiteti i Tuzlës dhe ai i Mostarit.

Vlerësimi i Universiteteve

Renditja e Institucioneve SCIMAGO është një klasifikim i institucioneve akademike dhe të lidhura me kërkimin, të renditur nga një tregues i përbërë që kombinon tri grupe të ndryshme treguesish bazuar në performancën e kërkimit, rezultatet e inovacionit dhe ndikimin shoqëror të matur nga dukshmëria e tyre në ueb.

Që një institucion a universitet të ketë prezencë në një fushë të caktuar shkencore, është e nevojshme që në vitin e fundit të kalojë një prag minimal të rezultateve shkencore të arritura dhe të publikuara, sipas kritereve të SCIMAGO-s.

Pra, rezultatet shkencore të çdo universiteti analizohen në 19 fusha shkencore dhe më pas bëhet vlerësimi dhe renditja e suksesit.




TRT Balkan