Prokuroria e BeH: Gjenden eshtrat e viktimave të luftës më Vishegrad.     Foto: AA

Në lokacionin Gornja Crça në komunën e Vishegradit janë gjetur dhe zhvarrosur eshtrat e viktimave të luftës së fundit.

Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës njoftoi se një hetues i Departamentit Special për Krime Lufte, në terren, me urdhër të prokurorit, koordinon punën e të gjithë zyrtarëve pjesëmarrës në procesin e zhvarrimit dhe kërkimit të personave të zhdukur.

"Eshtrat e të paktën dy personave u gjetën në vendin e përmendur dhe kërkimi vazhdon", thotë Zyra e Prokurorit e BeH.

U sqarua se informacioni për vendndodhjen e mundshme ku janë gjetur trupat është marrë nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta dhe punës së koordinuar të Prokurorisë së BeH-së, Agjencisë Shtetërore të Hetimit dhe të Mbrojtjes (SIPA) dhe Institutit për Persona të Zhdukur të BeH, ndërsa lokacioni ndodhet afër vendit ku 4 muaj më parë janë gjetur edhe eshtrat e viktimave nga lufta e kaluar.

Pas zhvarrimit, eshtrat do të dërgohen në eshtërore në Gorazhde për përpunim të mëtutjeshëm mjeko-ligjor dhe identifikim nëpërmjet analizës së ADN-së.

Sipas informacioneve paraprake, bëhet fjalë për viktima të nacionalitetit boshnjak nga zona e Vishegradit dhe identiteti i saktë do të përcaktohet pas analizës së ADN-së.

Në zhvarrim, i cili udhëhiqet nga hetuesi i Prokurorisë së BeH, merr pjesë një patolog mjeko-ligjor, një përfaqësues i Komisionit Ndërkombëtar për Kërkimin e Personave të Zhdukur (ICMP) në BeH, një përfaqësues i Institutit për Persona të Zhdukur (INO) të BeH-së, punëtorët dhe makineritë, kurse vendndodhja sigurohet nga oficerët e policisë të Stacionit Policor të MUP RS Vishegrad.

AA