Të rinjtë kanë qenë gjithmonë në ballë të ndryshimit përmes protestave masive, uljeve dhe bojkoteve. Së fundmi kjo po dëshmohet nga protestat e vazhdueshme propalestineze të udhëhequra nga studentët në gjithë ShBA-në.
Protestat e përhapura kundër ofensivës brutale ushtarake të Izraelit në Gaza, e cila ka vrarë mbi 35 mijë palestinezë, 70 për qind e tyre gra dhe fëmijë tashmë janë përhapur në të gjitha kampuset amerikane.
Studentët në shenjë solidarizimi me popullin palestinez kërkojnë largimin e ndikimit të universiteteve amerikane nga kompanitë në lidhje me Izraelin.
Kjo i bën jehonë një historie të gjatë të protestave të udhëhequra nga studentët në mbarë botën si Kryengritja e Sowetos, Revolucioni i Velvetit, Protestat kundër Luftës së Vietnamit, Greensboros, Maji Francez dhe të tjera.
Përveç protestave studentore në mbarë botën, në vazhdim do të kujtojmë edhe dy protestat më të mëdha shqiptare, ku studentët ishin protagonistë të ndryshimeve të qëndrueshme dhe me ndikim të gjerë.
Protestat që sollën pluralizmin politik në Shqipëri
Diku para 34 viteve, në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë e pikërisht në Qytetin Studenti, studentët e Universitetit të Tiranës ngritën krye për herë të parë në historinë 46-vjeçare të komunizmit, kundër këtij regjimi famëkeq. Ata në datën 8 dhjetor 1990 vendosën të bojkotonin mësimin dhe të protestojnë kundër regjimit, fillimisht për ndërprerjen e energjise elektrike, krizën ekonomike që po kalonte Shqipëria në ato momente, e në veçanti kushtet tepër të vështira që kishin studentët në konvikte e në shkolla.
Pas disa ditësh të protestave të dhunshme, si dhe një sërë bisedimesh me presidentin e shtetit Ramiz Alia, Lëvizja studentore triumfoi duke sjellë dhe përfundimisht pluralizmin politik në Shqipëri.
Në periudhën ndërmjet dhjetorit 1990 dhe prillit 1991, studentët shqiptarë demonstruan ndjenjë të lartë përgjegjësie politike dhe dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në proceset e tranzicionit prej sistemit totalitar në një sistem demokratik.
Këto ngjarje kanë lënë gjurmë të thella në zhvillimet e mëvonshme politike, ekonomike e shoqërore në shtetin shqiptar. Studentët që morën pjesë në veprimtaritë e Lëvizjes Studentore, kanë qenë kontribues shumë aktivë në të gjitha nivelet e politikës shqiptare.
Demonstratat e 81-shit në Kosovë
Demonstratat filluan si një lëvizje spontane e studentëve të Kosovës të cilat u mbajtën në Prishtinë më 4 mars 1981 për kushte më të mira në mensën e studentëve, por në fakt ishte shkendija në një zinxhir mbi mllefin e akumuluar prej vitesh.
Shërbimi policor pas intervenimit brutal ndaj studetëve të revoltuar paraburgosi një numër të madh të studentëve. Kjo ndërhyrje shkaktoi demostratën e organizuar të studentëve më 11 mars e cila po ashtu shtypet me dhunë dhe parabugosen disa student.
Më këtë fillon edhe zinxhiri i demostratave të 81-shit. Si pasojë rrjedhin tubimet e njohura si "Demonstratat e Punëtorëve" në të cilat punëtorët kërkonin lirimin e studentëve të burgosur.
Përsëri, organet shtetërore intervenojnë me tërë brutalitetin e tyre. Gjatë këtyre tubimeve, Armata Jugosllave paraqet prezencën e saj. Pas dy muajsh në territorin e Kosovës vendoset "Gjendja e jashtëzakonshme" e më vonë edhe shtetrrethimi.
Ky zinxhir vazhdon deri me fillimin e luftës në Kosovë, e që sot ky vend të gëzojë epitetin e një shteti të pavarur si Republika e Kosovës.