Punonjësit e arsimit organizuan grevë në shkollat në Serbi dhe një protestë në Beograd për shkak të pakënaqësisë me ofertën e qeverisë serbe për rritjen e pagave.
Punonjësit në fjalë janë mbledhur në Beograd para Kuvendit të Serbisë ku kanë paraqitur kërkesat e tyre, më pas kanë nisur një shëtitje proteste deri te ndërtesa e Qeverisë së Serbisë.
Sindikatat e Arsimit kanë refuzuar dje propozimin e Qeverisë, duke kërkuar që të zgjidhet sistematikisht çështja e pagave, si dhe problemet e tjera kyç dhe të respektohet protokolli i nënshkruar më parë.
“Jemi të pakënaqur sepse zëri ynë nuk dëgjohet, sepse në të gjitha takimet me Ministrinë e Arsimit nuk është në rend dite arsimi i lartë. Sot është, pse, sepse jemi të diskriminuar me vite, unë nuk jam jurist, por Ligji i punës thotë se ata që kanë të njëjtin nivel arsimor nuk mund të fitojnë më pak”, tha Marina Milenkoviq, kryetare e Komisionit të Arsimit të Lartë të Sindikatës së Arsimit të Serbisë.
Sindikatat përfaqësuese nuk e pranojnë rritjen e pagave prej 11 për qind, pasi në negociatat e vitit të kaluar kanë marrë premtimin me shkrim se nga fillimi i këtij viti shkollor, pagat e pedagogëve do të jenë të barabarta me mesataren e vendit.
Gjithashtu, është bërë e ditur se të gjithë, me përjashtim të të punësuarve në institucionet e arsimit të lartë, deri më 9 janar 2025 do të marrin një ndihmë financiare të njëhershme prej 15.000 dinarë dhe se nga 1 janari tarifa për kujdestarët e klasave do të rritet edhe me një për qind.
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, u bëri thirrje sindikatave ta pranojnë ofertën e qeverisë dhe t'i kthehen dialogut ekonomik dhe social, sepse greva nuk po i çon askund. Sipas tij, qeveria e ka pranuar argumentin e sindikatës se nuk do të ketë ndarje në sistemin arsimor që rrogat e të gjithëve të jenë 11 për qind më të larta, se deri më 9 janar iu ofrua një ndihmë një herë prej 15.000 dinarë dhe se u pranua edhe propozimi i tyre që kujdestarët e klasave të marrin edhe një për qind më shumë.
“Sipas të dhënave të marra nga administrata e shkollave, 49,58 për qind e shkollave punojnë rregullisht, 32,79 për qind e shkollave punojnë me regjim të modifikuar, ndërsa në 17,63 për qind të shkollave mësimi është ndërprerë plotësisht”, njoftoi të premten Ministria e Arsimit e Serbisë, duke shtuar se të gjitha institucionet parashkollore po punojnë me kapacitet të plotë.